Analisti Fatos Lubonja, teksa ishte i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka komentuar deklaratat e presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Tiranë.
Lubonja tha se mesazhet e zyrtares europiane për sukseset e Shqipërisë nuk përputhen, pasi sipas tij, me realitetin që po shprehet përmes protestave të zhvilluara prej muajsh.
Të lidhura
None found
Lubonja u shpreh se ndërsa në Shqipëri, vijon protesta kundër klasës politike dhe zhvillimeve të 35 viteve të fundit, zyrtarët europianë vijnë në vend dhe flasin për arritje.
Ai kritikoi edhe vetë figurën e presidentes së Komisionit Europian, duke e cilësuar si “politikane të dështuar” dhe duke përmendur pakënaqësitë ndaj saj në Itali.
“Këta politikanë europianë janë të dështuar. Von der Leyen është një figurë e dështuar, sidomos në Itali, ka pakënaqësi të madhe që po i bën të humbasin votat”, tha ai.
Sipas Lubonjës, qëndrimi i zyrtarëve europianë lidhet edhe me përpjekjen për të ruajtur narrativën se Shqipëria ka shënuar progres dhe sukses.
Në vijim, Lubonja bëri thirrje që protestat të shtrihen edhe ndaj institucioneve të Bashkimit Europian në Shqipëri, duke pretenduar se BE-ja ka mbështetur atë që ai e cilësoi si “narko-shtet”.
“Duhet të jemi realistë. Ka një problem me deklaratat që bëjnë politikanët ndërkombëtarë. Cili është problemi? Teksa ne shqiptarët jemi në një protestë prej 4 muajsh, që provon se ka një opinion që dënon klasën politike për ato që kanë ndodhur në 35 vite, vjen zonja Von der Leyen dhe flet për suksese. Këta politikanë europianë janë të dështuar. Von der Leyen është një figurë e dështuar, sidomos në Itali. Ka pakënaqësi të madhe që po i bën të humbasin votat.
Që të kthehemi te Shqipëria, ata duan të mbajnë narrativën që Shqipëria ka pasur sukses, për të gënjyer publikun perëndimor. E mbajnë për dy arsye; kanë dështuar dhe vetë dhe nuk mund ta pranojnë se kanë dështuar prej 35 vitesh me politikat që kanë bërë në Shqipëri. Ne duhet të protestojmë dhe ndaj zyrave të BE-së, për këto qëndrime që mbështesin narko-shtetin për interesat e tyre. S’u bën keq as atyre, as neve”, u shpreh Lubonja.
