Policia e Tiranës ka arrestuar një 18-vjeçar, i cili dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në shkollat e kryeqytetit. Arrestimi i të riut u krye në kuadër të operacionit “Shkollat e pastra”.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë shtetasi Orges Ferazini. Me arrestimin e tij, numri i personave të arrestuar në kuadër të këtij operacioni ka shkuar në 40.
Hetimet për identifikimin dhe dokumentimin e aktivitetit të shpërndarësve janë zhvilluar gjatë katër muajve. Gjatë kësaj periudhe, agjentët e infiltruar kanë simuluar edhe blerje të heroinës dhe kokainës. Ndërsa lëndët narkotike dyshohet se shpërndaheshin përmes monopatinave, taksive dhe motorëve të picave.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, lokalizuan dhe vunë në pranga shtetasin G. H., 18 vjeç, banues në Tiranë, të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të pastra”. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar për të, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, njofton policia.
