Mbante kallashnikov dhe municion luftarak në banesë, arrestohet 29-vjeçari në Vlorë

01/10/2026 15:02

Një 29-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi u kap duke mbajtur pa leje armë zjarri dhe municion luftarak në banesën e tij.

Gjatë operacionit të koduar “Roof”, Policia sekuestroi një kallashnikov, dy krehra dhe një sasi municioni.

Njoftimi i Policisë

Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Roof”, për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Posedonte në banesë, armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari.

Sekuestrohen arma e zjarrit, 2 krehra dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte armë zjarri në banesë, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Roof”.

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi R. R., 29 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 2 krehra dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Top Channel