Një debat me replika është zhvilluar në Komisionin për Çështjet Ligjore gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.
Në qendër të diskutimit ishte koha në dispozicion për shqyrtimin e nismës. Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, kërkoi që procedura të vijonte, duke iu referuar detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit europian dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së.
Deputeti Gent Strazimiri kundërshtoi ritmin e shqyrtimit, duke kërkuar më shumë kohë për ta analizuar projektligjin. Në një moment, ai ironizoi Manjën, duke iu referuar edhe pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Jeni që jeni, keni Ulsiun me këtë mendje, futini këtu te ky ligji dhe një listë pagash, siç e kanë bërë në Kushtetutë për prokurorët dhe gjykatësit, se ju a kalon Ulsi sot”, tha Strazimiri.
Debati mes Manjës dhe Strazimirit:
Ulsi Manja: Zhvillimi i Komisioneve bëhet duke vënë në dijeni Kryetarin e Kuvendit, sepse për ne është e pamundur të përmbushim kalendarin nëse nuk mblidhemi gjatë kësaj jave. Jemi komision për dhënie vendimi. E shohim nga pikëpamja e përputhjes së këtij projektligji me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi. Ndërsa komision përgjegjës është caktuar Komisioni i Ekonomisë. Sot do të duhet të shprehemi ne si Komision, që t’i jepet mundësia Komisionit të Ekonomisë që ta shqyrtojë si projektligj. Meqë z. Strazimiri dhe unë jemi të anëtarësimit në BE-së me ritme të shpejta, në faqen 6 të relacionit thotë: ‘Projektligji synon përafrim të plotë me acquis-in e BE-së në fushën e parandalimit të pastrimit të parave’. Sa më shpejt ta miratojmë këtë ligj, aq më shpejt mbyllen portat. Ne, sa herë kemi të bëjmë me projektligje të plota, ne nuk i prekim dot. Nuk ndërhyjmë dot në përmbajtje, se prishet ekuilibri.
Gent Strazimiri: Jeni që jeni, keni Ulsiun me këtë mendje, futini këtu te ky ligji dhe një listë pagash, siç e kanë bërë në Kushtetutë për prokurorët dhe gjykatësit, se ju a kalon Ulsi sot. Vendoseni sa të doni shifrën. Pastaj, pas 190 vitesh, do të merremi me vendim gjykate se a duhet t’i keni këto paga apo jo. Nëse herën e parë ishe i papërgatitur, ky nuk është një ligj që nuk ke nevojë ta futësh në fuqi nesër. Hyn në 2028-ën. Nëse qëllimi është i sinqertë, të thashë ta shohim me më përpikëri pas një muaji.
Ulsi Manja: Kemi dy vite kohë për ta parë.
Gent Strazimiri: Ke dy vite kohë, more Ulsi, por po e kalon për 20 minuta.
Ulsi Manja: Unë kam hallin si do e thotë Kryetari i Kuvendit në seancë, se unë vetë e kaloj.
Gent Strazimiri: Ai është hall tjetër. Kjo e sotmja, duke bërë këtë punë sot për 20 minuta, as ti vetë nuk e di çfarë dëmi po kalojmë këtu.
Ulsi Manja: Z. Strazimiri, të lutem, vazhdojmë me rendin e ditës, mos e pengo integrimin.
