Debat për pastrimin e parave/ Opozita kërkon llogari për zbatimin e ligjit, drejtori i Inteligjencës Financiare: Kemi 269 referime në 2025

01/10/2026 15:50

Në komisionin e ligjeve është diskutuar përafrimi i ligjit aktual “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” me atë të BE-së, nga ku deputetët e opozitës ngritën shqetësimin për efikasitetin e zbatimit të këtij ligji deri më tani.

“Se po hyjnë para të mëdha. E dëgjuat ju, kishte marrë prejardhje diamanti burri i huaj. Ka marrë makineri dylli për të dyllosur lekët. Këtu e kemi shqetësimin ne. Po pastrohen paratë me këntial dhe nuk kemi dëgjuar një pushtetar. Shikojmë gjëra të sekuestruara, po s’ia qëllojmë dot ndonjë tjetri”, u shpreh Korreshi.

“Gjëja kryesore për shqiptarët është si ndalohet nga shteti pastrimi i parasë, që po shkatërron jo thjesht ekonominë. Po shkatërron konkurrencën dhe po mbyt bizneset e vogla”, tha Bylykbashi.

Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, i dha përgjigje këtyre shqetësimeve të opozitës përmes shifrave.

“Në 2025 kemi 269 referime tek organet ligjzbatuese, 24 prokuroritë e rretheve, 32 në SPAK, 133 në polici dhe 80 te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Nga këto, policia ka referuar 85-90% të rasteve. Mendoj se SPAK-u i ka vlerësuar dhe ka nisur investigimin penal”, tha Koçi.

Anëtarët demokratë në komision ishin pro këtyre ndryshimeve dhe kërkuan më shumë kohë për diskutime, por kryetari i Kuvendit, Ulsi Manja, dha këtë sqarim: “Ne sa herë kemi të bëjmë me projektligje të plota, pra që janë përafrim i plotë me rregulloret dhe direktivat, ne nuk i prekim dot. Është si puna e peshores. Ne mund të bëjmë vetëm ndërhyrje të karakterit të teknikës legjislative. Aty ku duhet një pikë, vendosim një pikë, aty ku duhet presje, vendosim presje. Por nuk ndërhyjmë dot në përmbajtje, se prishet ekuilibri.”

Top Channel