Rajoni

Von der Leyen: Aktgjykimi i Hagës duhet respektuar, askush s’mund ta rishkruajë historinë e Kosovës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë të enjten në Prishtinë se aktgjykimi dënues i gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duhet të respektohet plotësisht, duke ngulur këmbë njëkohësisht se “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.

“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi”, tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.

Dënimi i ish-presidentit Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, me 25, i ish-kryetarit tjetër të Kuvendit, Kadri Veseli, me 18, dhe i ish-deputetit Rexhep Selimi me 13, është kundërshtuar gjerësisht në Kosovë.

Që të katërtit udhëhoqën luftën e UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe në vitet 1998-1999, dhe shihen si heronj nga shqiptarët e Kosovës.

Von der Leyen, në vizitën e saj të gjashtë në Kosovë, tha se “ky aktgjykim u dha nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht”.

“Por një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve; rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet të nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet”, shtoi ajo.

Në Kosovë është protestuar vazhdimisht që nga shqiptimi i aktgjykimi pasi shumë shqiptarë ndiejnë se gjykata e cilësoi UÇK-në si një organizatë të përbashkët kriminale, megjithëse vetë kryetari i trupit gjykues nguli këmbë disa herë në aktgjykimit se lufta e UÇK-së për liri nuk u gjykua.

Kurti, duke folur përkrah shefes së Komisionit Evropian, nënvizoi se gjykata e tha qartë se UÇK-ja nuk ishte në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare.

Prandaj, tha ai, kjo duhet të theksohet më shumë ndërkombëtarisht.

Kurti, megjithatë, shprehu shqetësime për përfundimet e tjera dhe ato që i cilësoi si dënime të rënda, duke thënë se pret që ato të korrigjohen në apel.

“Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, shtoi Kurti.

Ndërkohë, von der Leyen u pyet edhe për nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kosovë.