Këto pamje i përkasin rezervuarit të Kasharajt në Lushnje, ku është shënuar një katastrofë natyrore. Vendimi për të ndërtuar një digë ka shkaktuar dëm të madh mjedisor.
Sot, mijëra ton peshq të ngordhur qëndrojnë mbi sipërfaqen e ujit. Sipas banorëve, kjo situatë ka ardhur pasi institucionet nuk kanë komunikuar me njëra-tjetrën, mes tyre Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Lushnjës. Firma kontraktuese që mori përsipër punimet për ngritjen e digës duhet të njoftonte çdo lëvizje të saj.
Ylli Kashari ish-administrator i rezervatit shprehet: Unë e dija sa peshq kishte, mijëra ton.
Pasqyra ujore e sipërfaqes së rezervuarit deri para dy ditësh ishte 190 hektarë, ndërsa sot e gjithë kjo hapësirë është zaptuar nga balta dhe peshku i ngordhur. Ishte era e rëndë e peshkut të kalbur ajo që vuri në lëvizje institucionet shtetërore.
Rezervuari i Kasharajt nuk u ngrit sot. Banorët e zonës kanë dekada që ushqehen me peshkun e tij.
Edhe pse është Ministria e Bujqësisë ajo që jep leje licencimi për zhvillimin e akuakulturës, në kohë katastrofe peshqit i takojnë pushtetit vendor.
Ndihma e dhënë nga Ministria e Bujqësisë nuk qe parandalimi, por dezinfektimi me klor i zonës me gjallesa ujore të ngordhura.
Ky rezervuar nga viti 2007-2022 është menaxhuar nga Ylli. Ai thotë se inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë që prej vitit 2013 i ndërprenë inspektimet, ndërsa detyrën e saj ky institucion e përfundonte me dhënien e lejes së shfrytëzimit për peshkim.
‘Unë e kam punuar këtë rezervuar 2007-2022. Që nga 2013 këtu s’ka ardhur asnjë nga Ministria e Bujqësisë’ thotë Kashari.
Pas kësaj katastrofe ekologjike, të vetmet gjallesa që lëvizin mbi ujë janë pulëbardhat që ushqehen me peshkun e kalbur. Ndërsa bregu i rezervuarit është i larë me gjakun e peshqve, që dëshmon se dikur këtu kishte jetë.
Top Channel