
Moska ka reaguar me tone paralajmëruese ndaj deklaratave për mundësinë e vendosjes së armëve bërthamore pranë kufijve të Rusisë, duke argumentuar se një hap i tillë do të rriste tensionet dhe rrezikun e përshkallëzimit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se vendet që po shqyrtojnë mundësinë e lejimit të vendosjes së armëve bërthamore në territorin e tyre, në afërsi të Rusisë, “gabohen” në vlerësimin e ndikimit që një masë e tillë do të kishte në sigurinë rajonale.
Reagimi i Moskës vjen pas deklaratave të presidentit të Letonisë, Edgars Rinkēvičs, i cili tha se armët bërthamore mund të vendosen në territorin letonez nëse një vendim i tillë merret nga NATO.
Deklaratat kanë rikthyer në qendër të vëmendjes diskutimet mbi praninë dhe dislokimin e kapaciteteve bërthamore të NATO-s në krahun lindor të aleancës, në një periudhë kur marrëdhëniet mes Rusisë dhe vendeve perëndimore mbeten të tensionuara.
Sipas Peskov, vendosja e armëve bërthamore pranë kufijve rusë nuk do të forconte stabilitetin, por do të krijonte një situatë edhe më të ndjeshme të sigurisë dhe do të rriste rrezikun e përshkallëzimit.
Çështja mbetet pjesë e debatit më të gjerë mbi sigurinë e krahut lindor të NATO-s dhe masat parandaluese që aleanca mund të ndërmarrë përballë kërcënimeve të perceptuara nga Rusia. (A2 Televizion)