Sulmet “Smishing” në Shqipëri: Raiffeisen alarmon klientët për mesazhet mashtruese që vjedhin të dhënat bankare
Një valë e re sulmesh kibernetike të tipit “smishing” (mashtrim përmes mesazheve telefonike) ka vënë në lëvizje institucionet financiare në vend.
Raiffeisen Bank u ka drejtuar një apel urgjent të gjithë klientëve të saj, duke i paralajmëruar të bëjnë kujdes nga mesazhet mashtruese në celular që synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe llogarive bankare.
Sipas njoftimit zyrtar të bankës, keqbërësit po përdorin emrin e institucionit për të dërguar SMS ku kërkohet me urgjencë përditësimi i të dhënave, me pretekstin e shmangies së pezullimit të shërbimeve.
Si funksionon skema e mashtrimit?
Ekspertët e sigurisë sqarojnë se sulmi ndjek një skenar të mirëmenduar:
• SMS-i urgjent: Klienti merr një mesazh ku i kërkohet të veprojë shpejt.
• Linku kurth: Mesazhi përmban një link ku viktima ftohet të klikojë.
• Vjedhja e të dhënave: Pasi klikohet linku, përdoruesit i kërkohet të vendosë numrin e kartës, të dhënat personale dhe kodet njëpërdorimshe (OTP).
• Aksi në llogari: Sapo klienti dorëzon këto kode, sulmuesi fiton akses të plotë për të kryer transferta dhe veprime financiare të paautorizuara.
Udhëzimet e sigurisë: Çfarë duhet të bëni?
Banka ka listuar disa hapa kritikë që qytetarët duhet të ndjekin për të mbrojtur paratë e tyre:
• Mos klikoni në asnjë link që ju vjen me SMS. Shkruajeni gjithmonë manualisht adresën zyrtare të bankës në internet.
• Mos ndani kurrë të dhënat e kartës apo kodet e sigurisë që ju vijnë në celular.
• Raportoni menjëherë çdo komunikim të dyshimtë.
Për çdo rast ku dyshohet se të dhënat janë kompromentuar ose nëse keni klikuar gabimisht në këto linke, Raiffeisen Bank udhëzon të kontaktohet urgjentisht bankën.
©Shqip.com