Këto pamje i përkasin rezervuarit të Kasharajt në Lushnjë, ku është shënuar një katastrofë e rëndë mjedisore. Vendimi për ndërtimin e një dige ka shkaktuar dëme të mëdha në ekosistemin e rezervuarit.
Sot, mijëra ton peshq të ngordhur qëndrojnë mbi sipërfaqen e ujit. Sipas banorëve, situata është krijuar për shkak të mungesës së komunikimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve, përfshirë Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Bashkinë e Lushnjës. Firma kontraktuese që mori përsipër punimet për ngritjen e digës duhej të njoftonte për çdo ndërhyrje në rezervuar.
Ylli Kashari, ish-administrator i rezervuarit, thotë se ishte në dijeni të sasisë së madhe të peshkut që ndodhej në të.
“Unë e dija sa peshq kishte, mijëra ton”, shprehet Kashari.
Pasqyra ujore e rezervuarit, deri para dy ditësh, shtrihej në një sipërfaqe prej 190 hektarësh, ndërsa sot e gjithë kjo hapësirë është zaptuar nga balta dhe peshqit e ngordhur. Ishte era e rëndë e peshkut të kalbur ajo që vuri në lëvizje institucionet shtetërore.
Rezervuari i Kasharajt nuk është ndërtuar sot. Banorët e zonës kanë dekada që ushqehen me peshkun e tij, ndërsa ekosistemi i tij është pjesë e jetës së komunitetit.
Edhe pse është Ministria e Bujqësisë ajo që jep lejet dhe licencat për zhvillimin e akuakulturës, në rastet e katastrofave peshqit e ngordhur dhe pasojat në territor i takojnë pushtetit vendor.
Ndihma e dhënë nga Ministria e Bujqësisë në këtë rast nuk ishte parandalimi i situatës, por dezinfektimi me klor i zonës ku ndodheshin gjallesat ujore të ngordhura.
Ky rezervuar është menaxhuar nga Ylli Kashari gjatë periudhës 2007-2022. Ai thotë se inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë i ndërprenë kontrollet që prej vitit 2013, ndërsa roli i institucionit, sipas tij, përfundonte me dhënien e lejes së shfrytëzimit për peshkim.
“Unë e kam punuar këtë rezervuar 2007-2022. Që nga 2013 këtu s’ka ardhur asnjë nga Ministria e Bujqësisë”, thotë Kashari.
Pas kësaj katastrofe ekologjike, të vetmet gjallesa që lëvizin mbi sipërfaqen e ujit janë pulëbardhat, të cilat ushqehen me peshqit e kalbur. Ndërsa bregu i rezervuarit është mbuluar nga gjaku i peshqve të ngordhur, një dëshmi e gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet sot ky rezervuar.


