Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në inspektimin e spitalit të ri të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Struktura e re ofron shërbime moderne dhe synon rritjen e standardit të kujdesit për pacientët.
Gjatë inspektimit, Rama deklaroi se investimet në QSUT do të vijojnë hap pas hapi, me synimin për të plotësuar nevojat e strukturës spitalore.
Ai tha se një tjetër objektiv është përfundimi i parkimit të madh me 1,400 vende në hyrje të QSUT-së, me qëllim largimin e automjeteve nga territori i spitalit.
“Investimet në QSUT në tërësinë e tyre janë kryer dhe ajo që është e artë nga ana ime është se nuk duhet të kemi kufizim në buxhetin e QSUT për sa i përket kompletimit të nevojave dhe do duhet ti adresojmë të gjitha me buxhetin e vitit 2027. Kjo është ambicia. E dyta që diskutuam edhe më parë është që me përfundimin e parkimit të madh me 1400 vende në hyrje, përfundimisht heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit ndërkohë që të gjithë territorin e spitalit duhet ta kthejmë në një park të cilin besojmë do ta realizojmë në harkun e 2 viteve”, u shpreh Rama.
Rama foli edhe për një partneritet të mundshëm të spitalit me një strukturë tjetër të njohur, duke bërë të ditur se diskutimet për këtë projekt po vijojnë.
“E treta, jemi duke vazhduar të diskutojmë për partneritetin e spitalit me një strukturë tjetër shumë të njohur dhe besoj që shumë shpejt do arrijmë të ndërtojmë këtë partneritet i cili do të konsistojë në një menaxhim. Pjesë e këtij plani është ndërtimi i një strukture private brenda spitalit, e cila të jetë një strukturë ku ju të punoni paralelisht’, tha ai.
Lini një Përgjigje