Ursula von der Leyen
KOSOVË- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet partive politike në Kosovë, duke e cilësuar stabilitetin institucional si bazë për zhvillimin e vendit dhe avancimin e tij drejt Bashkimit Evropian.
Duke folur pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Von der Leyen tha se formimi i Kuvendit dhe Qeverisë përbën një hap të rëndësishëm, ndërsa theksoi se hapi i radhës është zgjedhja e presidentit.
“Kuvendi dhe Qeveria janë themeluar, kjo është mirë. Hapi i ardhshëm është zgjedhja e presidentit/es dhe së fundmi po vërejmë se dialogu mes partive politike është i mundur. Ju duhet të vazhdoni në këtë drejtim, sepse stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje”, tha Von der Leyen.
Ajo përsëriti mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të Kosovës, duke thënë se beson qartë në të ardhmen e vendit brenda Bashkimit Evropian.
“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës dhe atë qartazi, sepse e di se sa thellësisht ndjehen evropianë populli i Kosovës”, deklaroi Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për mbështetjen financiare përmes Planit të Rritjes, duke thënë se Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro. Sipas Von der Leyen, zbatimi i reformave dhe përdorimi i instrumenteve të Planit të Rritjes mund ta afrojë Kosovën me tregun e përbashkët evropian.
“Kosova mund të marrë 882 milionë euro sipas Planit të Rritjes. Keni marrë 62 milionë euro si parafinancim. Plani i Rritjes mund t’ju çojë më afër tregut të përbashkët”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian./Dosja.al