AKTUALITET /

Zjarri te kompleksi "Arlis" në Tiranë/ Ndërtuesi kallëzoi për shpifje Klevis Balliun, GJKKO pushon gjykimin e çështjes

Armand Lilo kishte depozituar më 29 prill 2026 një kërkesë ku akuzonte Balliun për veprën penale të “Shpifjes” të kryer botërisht dhe kërkonte dënimin e tij.

Shkruar nga Versus

Zjarri te kompleksi "Arlis" në Tiranë/ Ndërtuesi

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pushon gjykimin e çështjes penale ndaj Klevis Balliut, i kallëzuar për 'shpifje' nga biznesmeni i ndërtimit, Armand Lilo, pronari i kompanisë Arlis, ku një prej pallateve 12 katësh u përfshi nga flakët.

Përmes një njoftimi, GJKKO bën të ditur se pushimi i çështjes ka ardhur pas mosparaqitjes së seancat gjyqësore të palës akuzuese Armand Lilo.

Lilo kishte depozituar më 29 prill 2026 një kërkesë ku akuzonte Balliun për veprën penale të “Shpifjes” të kryer botërisht dhe kërkonte dënimin e tij.

Njoftimi i Gjykatës së Posaçme

1. Viktima akuzuese Armand Lilo më datë 29.04.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “1. Deklarimin fajtor të të akuzuarit Klevis Balliu për kryerjen e veprës penale të “Shpifjes” të kryer botërisht dhe dënimin e tij për kryerjen e kësaj vepre penale; 2. Caktimin e dënimit përkatës penal, në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës dhe pasojat e ardhura nga përhapja publike e deklarimeve të pavërteta;

3. Dënimi kryesor të shoqërohet edhe me një dënim plotësues që është ai i publikimit të vendimit gjyqësor, sipas neneve 30/9 dhe 43 të Kodit Penal; 4. Ngarkimin e të akuzuarit me pagimin e shpenzimeve procedurale.”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Marinela Osmani, me vendimin nr. 69, datë 30.09.2026, vendosi:

1. Pushimin e gjykimit të çështjes penale të regjistruar me numër 116 Akti, datë 29.04.2026, për shkak të mosparaqitjes pa shkaqe të përligjura të viktimës akuzuese, dhe apo mbrojtësit të tij të zgjedhur.

2. Shpenzimet gjyqësore janë në ngarkim të viktimës akuzuese Armand Lilo.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të gjykatës.

Tiranë, më datë 01.10.2026

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Poll