Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    “Filmimet e publikuara nuk përbëjnë lajm”, Marjana Koçeku: Vëmendja duhet të ishte te partitë shqiptare në Serbi që janë bërë bashkë!

    Media spanjolle “HOLA!”: Udhëtim magjepsës nëpër Shqipëri, nga qytetet historike te Riviera

    Kokat që qelbën peshkun, mungesa e bashkëpunimit të institucioneve “thau” rezervuarin

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » Media spanjolle “HOLA!”: Udhëtim magjepsës nëpër Shqipëri, nga qytetet historike te Riviera
    Ekonomi

    Media spanjolle “HOLA!”: Udhëtim magjepsës nëpër Shqipëri, nga qytetet historike te Riviera

    October 1, 2026

    Shqipëria po shfaqet si një nga destinacionet më tërheqëse të Ballkanit, ku historia, qytetet prej guri, trashëgimia osmane, natyra dhe plazhet e Rivierës Shqiptare bashkohen në një udhëtim plot kontraste. Kështu e përshkruan Shqipërinë gazetarja Pilar Hernandez Coloma në median spanjolle “¡HOLA!”.

    Nga Tirana dhe Kruja, te Berati, Gjirokastra, Syri i Kaltër, Saranda, Ksamili dhe Butrinti, udhëtimi përshkon një vend ku gjurmët e së kaluarës ndërthuren me peizazhet mesdhetare dhe kuzhinën tradicionale.

    “Udhëtim magjepsës nëpër Shqipëri: Qytete prej guri, Trashëgimi Botërore dhe plazhe me ujëra të kristalta”, është titulli i artikullit, i cili e përshkruan vendin si një destinacion ku historia dhe kënaqësia e të jetuarit takohen në brigjet e Mesdheut.

    “A e dini se ekziston ende një cep i Evropës ku një qytet prej guri mund t’ju çojë deri në zemër të një pazari osman, ku ujërat e Jonit konkurrojnë për nga bukuria me ato të Karaibeve dhe ku një kryeqytet në transformim të plotë bashkëjeton me xhami, bunkerë të vjetër, fortesa mesjetare dhe një kuzhinë që meriton të ulesh në tryezë për ta zbuluar?”, shkruan media spanjolle.

    E vendosur në juglindje të Evropës dhe e rrethuar nga detet Adriatik dhe Jon, Shqipëria përshkruhet si një “perlë e vogël e Ballkanit”, e cila është shndërruar në një nga zbulimet e mëdha për turistët që kërkojnë destinacione të veçanta dhe larg vendeve të zakonshme turistike.

    Për vite me radhë, Shqipëria qëndroi jashtë qarqeve të mëdha turistike dhe, sipas “¡HOLA!”, pikërisht kjo ka bërë që vendi të ruajë ende atë ndjesinë e zbulimit që shpesh mungon në udhëtimet turistike.

    Sot, një udhëtim nëpër Shqipëri mund të ndërthurë vizitat urbane me historinë, arkitekturën, natyrën dhe disa prej plazheve më spektakolare të Mesdheut. Por, sipas artikullit, Shqipëria ofron edhe një tjetër mënyrë për ta përjetuar luksin: mëngjeset pa nxitim, shëtitjet në rrugicat me kalldrëm, peshkun e freskët përballë detit dhe perëndimet mbi qytetet e lashta.

    Udhëtimi nis në Tiranë, një kryeqytet që, sipas medias spanjolle, ka ditur ta shndërrojë të kaluarën në një vështrim drejt së ardhmes.

    Transformimi i qytetit vihet re në fasadat me ngjyra, hapësirat artistike, lokalet gastronomike dhe ndërthurjen e arkitekturës tradicionale me atë bashkëkohore. Një nga zonat që e përfaqëson më mirë këtë ndryshim është Blloku, dikur një lagje e rezervuar për elitën politike gjatë regjimit komunist dhe sot një prej qendrave kryesore të jetës sociale të kryeqytetit.

    Rrugët e Bllokut mbledhin kafene, butikë, galeri arti dhe lokale, ndërsa atmosfera ndryshon nga mëngjesi në mbrëmje.

    Në qendër të Tiranës, një tjetër pikë e veçantë është xhamia e Namazgjasë, pranë sheshit “Skënderbej” dhe Parlamentit. Artikulli veçon kupolën e madhe dhe katër minaret e saj, ndërsa përmend edhe hapësirat e brendshme, bibliotekën dhe ambientet e destinuara për komunitetin.

    Për të njohur historinë më të afërt të Shqipërisë, udhëtimi vazhdon në Bunk’Art, i ngritur në një prej strehimoreve të ndërtuara gjatë diktaturës komuniste. Hapësirat e nëndheshme, së bashku me bunkerët që dikur mbuluan territorin e vendit, sot janë pjesë e një muzeu kushtuar artit dhe kujtesës historike.

    Krahas historisë, artikulli ndalet edhe te gastronomia shqiptare. Ndër specialitetet që veçon është fërgesa e Tiranës, e përgatitur me speca të ëmbël, domate dhe djathë vendas në tavë balte.

    Nga kryeqyteti, udhëtimi vazhdon drejt Krujës, e cila shtrihet mbi një masiv shkëmbor dhe dominon fushat shqiptare. Rëndësia historike dhe atmosfera e qytetit e bëjnë atë një prej ndalesave kryesore të itinerarit.

    Në qendër të vëmendjes është Pazari i Vjetër Osman, me rrugicat me kalldrëm, dyqanet prej druri dhe punimet artizanale. Qilimat, kilimet, objektet prej bakri, bizhuteritë e argjendit, antikuaret dhe produktet tradicionale paraqiten si një mënyrë për të njohur kulturën vendase.

    Ngjitja të çon drejt kalasë mesjetare dhe muzeut kushtuar Skënderbeut, ndërsa nga zona pranë “Hotel Panorama” hapet një panoramë mbi pazarin dhe muret e kalasë, e cila në ditët e kthjellëta shkon deri në Adriatik.

    Ndalesa tjetër është Durrësi, qyteti i lashtë portual ku gjurmët e Antikitetit bashkëjetojnë me mënyrën mesdhetare të jetesës. Në artikull veçohet amfiteatri romak i shekullit II, ndërsa shëtitorja buzë detit dhe hapësirat pranë bregut plotësojnë përvojën turistike.

    Në tryezë, protagonisti është peshku në zgarë, i shoqëruar me perime të stinës dhe vaj ulliri ekstra të virgjër.

    Më tej, rruga mbërrin në Berat, “qytetin e një mbi një dritareve”, ku lagjet historike Mangalem dhe Gorica ndahen nga lumi Osum. Shtëpitë osmane të ndërtuara në shpat dhe fasadat e bardha me dritare të mëdha prej druri janë një prej elementeve që i japin qytetit pamjen karakteristike.

    Berati, i shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO, përshkruhet si veçanërisht mbresëlënës në fund të ditës, kur muret marrin nuanca rozë, vjollcë dhe të arta. Vizitorët mund të ngjiten drejt kalasë, ku ende zhvillohet një pjesë e jetës lokale mes kishave bizantine, banesave dhe rrugicave me kalldrëm.

    Në gastronominë e Beratit veçohet tava e kosit, e përgatitur me mish qengji, kos, oriz dhe vezë.

    Udhëtimi vijon drejt Gjirokastrës, një tjetër qytet i shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO. I ndërtuar në shpatet e luginës së Drinos, qyteti njihet për çatitë prej pllakash guri dhe rrugët e pjerrëta me kalldrëm.

    Shtëpitë e vjetra, kullat e familjeve me ndikim gjatë shekujve XVIII dhe XIX dhe Pazari i Vjetër janë pjesë e peizazhit të qytetit. Artikulli veçon edhe qifqitë, sferat e vogla prej orizi të përgatitura me nenexhik, piper të zi dhe vezë, si një prej specialiteteve karakteristike të zonës.

    Mes maleve dhe pyjeve ndodhet më pas Syri i Kaltër, një prej destinacioneve më të veçanta natyrore të Shqipërisë. Burimi krijon një pamje që ngjan me një bebëz gjigante, me ujëra në ngjyrë blu intensive që kalojnë gradualisht në nuanca bruz dhe të gjelbra.

    Rreth burimit shtrihet një bimësi e dendur, ndërsa historitë dhe legjendat për thellësinë e tij e bëjnë vendin edhe më tërheqës. Pranë lumit, vizitorët mund të ndalen në lokalet e vogla dhe të shijojnë petulla të ngrohta me djathë dhe mjaltë.

    Pjesa e fundit e udhëtimit është Riviera Shqiptare. Saranda përshkruhet si porta hyrëse drejt bregdetit të jugut, me shëtitoren buzë detit, palmat, restorantet dhe jetën e natës.

    Por, sipas “¡HOLA!”, është në Ksamil ku bukuria e peizazhit arrin kulmin. Gjiret me rërë të bardhë, ujërat transparente dhe ishujt përballë bregdetit kanë bërë që zona të marrë edhe emërtimin “Karaibet Shqiptare”.

    Artikulli sugjeron që në Ksamil të shijohet deti pa nxitim, ndërsa për ata që duan të eksplorojnë më shumë, ishujt mund të arrihen me varkë ose kajak. Në restorantet pranë bregut, kuzhina ofron kallamarë të skuqur, oktapod në zgarë dhe midhje të kultivuara në zonën përreth liqenit të kripur të Butrintit, të shoqëruara me verë të bardhë vendase.

    Pak minuta larg Ksamili ndodhet Butrinti, destinacioni që përmbyll itinerarin. Parku Kombëtar i Butrintit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, bashkon gjurmë romake, bizantine, helenistike dhe veneciane me një peizazh të gjelbëruar pranë lagunës së kripur.

    Teatri romak, bazilikat, muret e lashta dhe fortifikimet shfaqen mes natyrës, duke krijuar një ndërthurje të veçantë mes arkeologjisë dhe peizazhit.

    Në fund të udhëtimit, media spanjolle veçon edhe disa përvoja që turistët nuk duhet t’i humbin. Në Gjirokastër përmenden akulloret artizanale të përgatitura në çast në “Ice Rolls”, ndërsa në Berat sugjerohet një menu tradicionale degustimi në restorantin “Friendly House”, me mishra të pjekur, speca të mbushur, djathëra artizanalë dhe bukë të ngrohtë.

    Në Krujë, artikulli veçon Pazarin e Vjetër Osman, çiftelinë si një prej simboleve të traditës muzikore shqiptare dhe kafenë tradicionale turke, të cilën vizitorët mund ta shijojnë në një prej tarracave me pamje nga qyteti.

    Sipas “¡HOLA!”, këto përvoja plotësojnë një udhëtim që ndërthur gastronominë, traditat, artizanatin, peizazhet dhe historinë e qyteteve shqiptare, duke e paraqitur Shqipërinë si një destinacion me kontraste të shumta, nga kryeqyteti në zhvillim te qytetet historike dhe plazhet e Jonit.

    media shqipëri spanjolle
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    “Filmimet e publikuara nuk përbëjnë lajm”, Marjana Koçeku: Vëmendja duhet të ishte te partitë shqiptare në Serbi që janë bërë bashkë!

    October 1, 2026

    Media spanjolle “HOLA!”: Udhëtim magjepsës nëpër Shqipëri, nga qytetet historike te Riviera

    October 1, 2026

    Kokat që qelbën peshkun, mungesa e bashkëpunimit të institucioneve “thau” rezervuarin

    October 1, 2026

    Vodhi automjetin e një poste, identifikohet dhe arrestohet 23-vjeçari në Durrës

    October 1, 2026
    Mos e humb
    Fokus September 24, 2026

    Dosja/ Biznesmeni Meqemeja i dha Ahmetajt 140 mijë euro! SPAK: Shpërblim për Inceneratorin e Fierit përmes shitjeve fiktive

    Biznesmeni Sokol Meqemeja njihet si pronar i disa kompanive apo sipërmarrjeve. Përveç ‘Delvina Gas’ ai…

    ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

    Kreditorët te dera, gjykata në kërkim të “Top Fruits” të Ejup Ahmetit dhe Marin Gjonajt: Paraqituni në gjyq

    Kompania e krijuar tri ditë pas hapjes së thirrjes për grantet e startupeve fitoi 6.1 milionë lekë në fazën e rezervuar për biznese të paktën 1-vjeçare

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Dashuri, vendime dhe mundësi të reja: Si do të shkojë e diela për secilën shenjë

    Horoskopi/ Parashikimi i yjeve për ditën e sotme, 24 Shtator 2026

    Njohje të reja për beqarët, mundësi fitimi dhe sfida në punë, çfarë thonë yjet për ju sot

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.