Më 28 nëntor 2026, në Düsseldorf të Gjermanisë, Nelson Hysa do të përballet me gjermanin Agit Kabayel në një sfidë të shumëpritur për peshat e rënda. Edhe pse jo një datë e përzgjedhur qëllimisht, dueli ndaj gjermanit vjen në një ditë historikë për shqiptarët, pasi në atë periudhë janë festa e nëntorit. Ngritja e Flamurit dhe Çlirimi i Shqipërisë, që me siguri do të jetë një motiv plus për Nelson Hysën.

Për boksierin shqiptar kjo nuk është thjeshtë një ndeshje dhe kjo është e sigurtë. Bëhet fjalë për një mundësi historike për boksin shqiptar, pasi përballë do të ketë një kampion bote dhe në lojë do të jetë titulli WBC në peshat e rënda. Marrëveshja erdhi pas shumë peripecish, pasi kontratat janë diskutuar gjatë mes palëve dhe në një moment dukej sikur nuk do të kishte marrëveshje. Mirëpo kjo është kaluar tani dhe për më tepër dueli është konfirmuar si nga Agit Kabayel ashtu edhe nga promotori i famshëm i boksit Frank Warren.

Hysa vjen në këtë duel me një rekord perfekt: 25 fitore në 25 ndeshje, 23 prej tyre me nokaut. Forma e tij e fundit ka qenë mbresëlënëse, ndërsa fitorja e fundit ndaj Thomas Narmos erdhi me KO që në raundin e dytë.

Në krahun tjetër qëndron Agit Kabayel, një nga emrat më të rëndësishëm të peshave të rënda në boksin botëror dhe kampioni i botës në WBC.

Për Nelson Hysën, sfida e 28 nëntorit është mundësia për të bërë atë që asnjë boksier shqiptar nuk e ka bërë më parë në këtë nivel: të luftojë për një nga titujt më prestigjiozë të botës në kategorinë e peshave të rënda.

Dueli pritet të zhvillohet në mbrëmje në Merkur Spiel-Arena në Düsseldorf, ndërsa hyrja në ring e dy boksierëve pritet rreth orës 23:00 sipas orës shqiptare, në varësi të kohëzgjatjes së përballjeve të tjera të mbrëmjes.

Më shumë se një sfidë personale, Hysa–Kabayel është një natë që mund të mbetet në historinë e boksit shqiptar. Një fitore e shqiptarit do të hapte një kapitull të ri dhe do ta vendoste emrin e Nelson Hysës mes kampionëve të botës në peshat e rënda.

28 nëntori është data. Düsseldorf është arena. Përballë Hysës është kampioni i botës.

Shënim: WBC është 1 nga 4 organizatat më të mëdha të boksit, bashkë me WBO, WBA dhe IBF. Asnjë boksier i cili ka garuar me flamur shqiptar nuk ka mundur të fitojë një nga këta tituj.