Kush i shpërndau videot intime, çfarë di policia deri tani? Gazetari Barkaj flet në “Takohemi n’Vizion”

Disa video intime të shpërndara në rrjete sociale kanë tronditur shoqërinë shqiptare dhe opinionin publik.
Por kush i ka shpërndarë këto video? A kanë pasur dijeni personat e përfshirë në to se po filmohen? Çfarë di policia?
Lidhur me këto pyetje, gazetari i kronikës, Esido Barkaj, i ftuar në “Takohemi n’Vizion” të moderatores Fjodora Fjora, ka dhënë disa përgjigje.
Barkaj tha se Policia e Tiranës ka nisur një hetim, edhe pse ende nuk ka një kallëzim nga asnjë prej personave të përfshirë në to. Ai tha se policia ka mundur të kontaktojë me disa prej personave të përfshirë në video, ndërsa ka theksuar se personazhi kryesor ka deklaruar në një telefonatë me uniformat blu se nuk e ka idenë se kush i ka shpërndarë videoregjistrimet.
Pjesë nga biseda:
Fjora: Çfarë ka ndodhur deri tani, nga ajo që Policia ka konstatuar?
Barkaj: Ju e dini se si merr rrjedhja e lajmit. Audienca është e etur për lajmet e kronikës së zezë, por edhe ato rozë kanë shikueshmëri të paparë. Është një popull i etur për lajme, nuk parandalohen dot. Lajmi i fundit nuk është pasqyruar në media, por rrjetet sociale kanë bërë shpërndarjen. Policia e Tiranës ka nisur një hetim kryesisht, pasi nuk ka pasur ende një kallëzim nga një person që pretendon se është viktimë e atyre videove. Megjithatë, Policia ka nisur një hetim sa i takon evidentimit të mënyrës se si kanë rrjedhur videot. Policia nuk po heton personat që kanë marrë pjesë në video, por faktin se si janë përhapur ato, nëse regjistrimi është bërë me dijeninë e tyre, nëse pas tyre qëndrojnë persona që shantazhojnë. Janë hetime që janë në fillim. Policia e Tiranës ka kontaktuar me personat që duken në video, qoftë me personazhin kryesor, Adi Hila, i cili është shprehur i tronditur me videot. Policia është fokusuar në dy pista hetimi: mund të jetë një server i jashtëm dhe ka ndërhyrë nëpërmjet hakerimit dhe ka përthithur të gjitha të dhënat, ose nëpërmjet vjedhjes. Policia, kur ka kontaktuar me zotin Hila, ai ka thënë se nuk ndodhet në Tiranë dhe nuk e ka idenë se kush i ka shpërndarë videot.




