BOTA, 1 October 2026, 16:55

Skandal në ushtrinë gjermane, afro 2 mijë denoncime për sjellje seksuale të papërshtatshme në 5 vite

Skandal në ushtrinë gjermane, afro 2 mijë denoncime për

Gratë shërbejnë prej 25 vitesh në të gjitha degët e Forcave të Armatosura Gjermane. Megjithatë, një hetim i emisionit “Report Mainz” të televizionit publik gjerman ka nxjerrë në dritë akuza serioze për diskriminim, ngacmim seksual dhe dhunë ndaj grave në radhët e Bundeswehr-it.

Sipas Deutsche Welle, disa prej tyre kanë folur me gazetarët dhe kanë përshkruar një mjedis ku rastet e sjelljeve seksiste dhe sulmeve seksuale minimizohen ose thjesht tolerohen. Sipas dëshmive të tyre, në disa raste instruktorët dhe oficerët e lartë në Bundeswehr nuk ndërhyjnë, ndërsa pretendohet se qëndrimi i tyre mund edhe t’i inkurajojë këto sjellje.

Pothuajse 2 mijë denoncime në pesë vjet

Çështja doli në qendër të vëmendjes pas një skandali në njësinë e parashutistëve në Zweibrücken, ku, ndër të tjera, ishin regjistruar akuza për mizogjini dhe vepra penale seksuale. Megjithatë, sipas “Report Mainz”, regjistrimi i rasteve të tilla nuk kufizohet vetëm në këtë njësi në Gjermani.

Të dhënat tregojnë përmasat e problemit: nga viti 2021 deri në vitin 2025 u regjistruan 1.965 raportime për raste të dyshuara të sjelljes së papërshtatshme seksuale në Forcat e Armatosura Gjermane.

Prej tyre, 828 kishin të bënin me ngacmim seksual, ndërsa gjithsej 1.114 raste iu përcollën autoriteteve të prokurorisë.

Vetë Bundeswehr-i thekson se një numër i konsiderueshëm i rasteve të ngjashme mund të mos raportohen, ndër të tjera për shkak të frikës nga pasojat e mundshme në karrierën profesionale të viktimave.

Për këtë arsye, aktualisht po zhvillohet një hetim për të përcaktuar përmasat reale të fenomenit.

Çështja merr një rëndësi të veçantë në një periudhë kur Bundeswehr-i synon të rrisë ndjeshëm numrin e personelit të tij, ndërsa gratë aktualisht përbëjnë rreth 13% të personelit ushtarak.