web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Gen Z shqiptarë rrinë online, por 55+ vjeçarët blejnë më shumë

1 Tetor 2026, 17:00, Ekonomi CNA

Gen Z shqiptarë rrinë online, por 55+ vjeçarët blejnë

Të rinjtë mund të kalojnë më shumë kohë online, të dëgjojnë më shumë muzikë në internet dhe të konsumojnë shumë më tepër filma e seriale, por kur vjen puna te pagesa për disa produkte kulturore, panorama ndryshon.

Të dhënat më të fundit të INSTAT për kulturën tregojnë se, mes personave që përdorin internetin, grupmosha 55-74 vjeç regjistron përqindje më të larta se të rinjtë në disa kategori të blerjeve online, përfshirë biletat për aktivitete kulturore, librat, gazetat dhe revistat.

Në vitin 2025, 48,2% e përdoruesve të internetit të grupmoshës 55-74 vjeç rezultojnë se kanë blerë online bileta për aktivitete kulturore apo të tjera, si kinema, koncerte dhe panaire. Te grupmosha 16-24 vjeç, kjo përqindje është 39,7%, ndërsa te 25-54-vjeçarët 34,3%.

Diferenca bëhet edhe më e fortë te libri dhe shtypi. Rreth 23,9% e përdoruesve të internetit të moshës 55-74 vjeç kanë kryer blerje online për libra, revista ose gazeta. Te të rinjtë 16-24 vjeç, përqindja është vetëm 8,7%, gati tre herë më e ulët. Edhe grupmosha 25-54 vjeç, me 14%, mbetet dukshëm poshtë grupit më të madh në moshë.

E njëjta tendencë shfaqet te filmat dhe muzika. Blerje të tilla online raportohen nga 18,1% e përdoruesve 55-74 vjeç, kundrejt 12,3% të grupmoshës 25-54 vjeç dhe vetëm 8,8% të 16-24-vjeçarëve.

Nga ana tjetër, 80,3% e përdoruesve 16-24 vjeç përdorin internetin për filma ose seriale, ndërsa te 55-74-vjeçarët kjo peshë është vetëm 21,5%. Për muzikën, diferenca është edhe më e madhe: 75,6% te të rinjtë dhe 18,3% te grupmosha 55-74 vjeç. Edhe lojërat online përdoren nga 71,5% e të rinjve, kundrejt 19,1% të grupmoshës më të madhe.

Të rinjtë janë shumë më aktivë në konsumin digjital të kulturës, ndërsa te një pjesë e mallrave dhe shërbimeve për të cilat duhet të paguhet, përdoruesit 55-74 vjeç dalin proporcionalisht më aktivë.

Në nivel kombëtar, 36,7% e përdoruesve të internetit 16-74 vjeç raportojnë blerje online të biletave për evente, 13% kanë blerë libra, revista ose gazeta dhe 11,6% filma ose muzikë./ Monitor





Lajmet e fundit nga