MAGAZINË /

ZYRTARE/ Firmoset dueli historik i Nelson Hysës për titullin WBC me kampionin e botës Agit Kabayel. Ja kur do të zhvillohet ndeshja

Hysa do të hyjë në ring si i pamposhtur, ndërsa Kabayel si kampion bote

Shkruar nga Versus

ZYRTARE/ Firmoset dueli historik i Nelson Hysës për titullin WBC me

Nelson Hysa do të ngjitet në ring më 28 nëntor 2026 në Düsseldorf të Gjermanisë, për sfidën më të madhe të karrierës së tij. Boksieri shqiptar do të përballet me gjermanin Agit Kabayel, në një duel të peshave të rënda ku në lojë do të jetë titulli WBC.

Marrëveshja mes palëve është arritur pas negociatave të gjata për kontratat, ndërsa në një moment përballja dukej se rrezikonte të mos realizohej. Tashmë gjithçka është zyrtarizuar, ndërsa dueli është konfirmuar edhe nga vetë Agit Kabayel dhe promotori i njohur i boksit, Frank Warren.

Për Hysën kjo nuk është thjesht një tjetër ndeshje. Bëhet fjalë për një mundësi të rrallë për të shkruar historinë e boksit shqiptar dhe për të luftuar për një prej titujve më prestigjiozë në botën e boksit profesionist.

Hysa vjen në këtë sfidë me një rekord perfekt. Shqiptari ka fituar të 25 ndeshjet e zhvilluara në karrierën profesioniste, ndërsa 23 prej këtyre fitoreve i ka siguruar me nokaut.

Edhe ndeshja e fundit dëshmoi formën e tij të mirë. Hysa mposhti Thomas Narmos me nokaut që në raundin e dytë, duke vijuar serinë e rezultateve pozitive.

Por përballë do të ketë një kundërshtar të një tjetër niveli.

Agit Kabayel është një prej emrave të rëndësishëm të kategorisë së peshave të rënda në boksin botëror dhe mban titullin WBC. Gjermani do të ketë përballë një boksier të pamposhtur, çka e bën përballjen edhe më interesante për publikun.

Dueli pritet të zhvillohet në “Merkur Spiel-Arena” në Düsseldorf. Përballja kryesore pritet të zhvillohet në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa hyrja e Hysës dhe Kabayel në ring parashikohet rreth orës 23:00 sipas orës shqiptare. Ora e saktë mund të ndryshojë në varësi të kohëzgjatjes së dueleve të tjera të mbrëmjes.

Data e përballjes ka edhe një simbolikë të veçantë për shqiptarin. 28 nëntori përkon me festat e nëntorit dhe Ditën e Flamurit, çka i jep sfidës një ngarkesë të veçantë për Hysën dhe mbështetësit e tij shqiptarë.

Megjithatë, përtej simbolikës, objektivi në ring është i qartë: një titull botëror.

Për Hysën kjo është mundësia për të bërë atë që asnjë boksier që ka garuar nën flamurin shqiptar nuk e ka realizuar më parë në këtë nivel, të luftojë për një prej titujve të katër organizatave kryesore të boksit profesionist në botë.

WBC është një nga katër organizatat më të mëdha të boksit profesionist, së bashku me WBA, IBF dhe WBO. Një titull i tillë do të përfaqësonte një arritje historike për boksin shqiptar.

Hysa do të hyjë në ring si i pamposhtur, ndërsa Kabayel si kampion bote. Dy profile të ndryshme, një objektiv i vetëm dhe një natë që pritet të tërheqë vëmendjen e tifozëve shqiptarë.

Nëse shqiptari arrin të triumfojë, ai do të vendoste emrin e tij në një kapitull të ri të historisë së boksit shqiptar dhe do të siguronte një prej arritjeve më të mëdha të këtij sporti për Shqipërinë./Versus.al

 

Poll