
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qendër dhe në qarqe, ku në fokus ishte forcimi i sigurisë, parandalimi i kriminalitetit dhe lufta kundër paligjshmërisë.
Gjatë takimit, ministri Demo kërkoi një informacion të detajuar dhe të përditësuar mbi situatën kriminale në territor, me vëmendje të veçantë te zonat me risk dhe aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve dhe lojërave të fatit.
Një tjetër pikë e rëndësishme ishte lokalizimi dhe kapja e personave në kërkim, veçanërisht e atyre që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ndikim të konsiderueshëm në publik.
Armëmbajtja pa leje ishte gjithashtu në fokus të porosive të ministrit. Demo kërkoi përdorimin e inteligjencës policore dhe ndërhyrje të befasishme ndaj personave që qarkullojnë me armë zjarri, me synim parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni.
Në takim u diskutua edhe zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla, të cilën ministri e cilësoi si një prej prioriteteve kryesore. Ai kërkoi angazhim maksimal të strukturave policore për garantimin e sigurisë së nxënësve brenda dhe përreth ambienteve shkollore. (A2 Televizion)