VIDEO/ Balliu: Rama duhet pezulluar nga detyra, është i marrë peng nga krimi, po pengon drejtësinë

17:03, 01/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në ‘Edicionin e Pasdites’ në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se mbajtja e tij në detyrë lidhet me përpjekjet për të penguar drejtësinë.

Balliu tha se drejtësia duhet të veprojë dhe se, sipas tij, hapi i parë për një hetim serioz lidhur me çështjen e Vlorës dhe Ergys Agasit duhet të jetë pezullimi i Edi Ramës nga detyra.

‘Mbajtja e pozicionit si kryeministër nga Edi Rama mbahet vetëm për të penguar drejtësinë’, u shpreh Balliu. Sipas deputetit demokrat, ekzekutivi po ushtron presion ndaj institucioneve të drejtësisë, ndërsa pretendoi se kërcënimet nuk janë vetëm politike apo ekzekutive.

‘Çështja është: drejtësia do të mbetet peng e kërcënimeve të Ramës apo do të veprojë? Pra, çfarë duhet të ndodhë tjetër këtu që të thërrasësh kryeministrin?’, tha ai.

Balliu deklaroi gjithashtu se Edi Rama është i ‘kompromentuar’ si kryeministër dhe se, sipas tij, lidhjet që ai pretendon mes pushtetit dhe grupeve kriminale përbëjnë kërcënim për interesin dhe sigurinë kombëtare.

‘Pa diskutim, thashë, mbajtja e pozicionit si kryeministër nga Edi Rama mbahet vetëm për të penguar drejtësinë. Ai tani po vazhdon ekzekutimin dhe do të ketë edhe hapa të tjerë të ekzekutivit për të penguar drejtësinë që të kryejë detyrën e vet dhe për t'i vënë ata nën një presion, për t'i kërcënuar ata në forma nga më të ndryshmet, duke marrë parasysh këtu që ky është dhe një ekzekutiv i lidhur ngushtësisht me krimin e organizuar, me kartelet e drogës. Pra, kërcënimet e tij nuk janë thjesht politike apo ekzekutive, ato shkojnë edhe përtej.

Pra, në këtë aspekt, mendoj që nuk kemi më çështje për diskutim që pse po bën Rama këtë apo atë. Çështja është: drejtësia do të mbetet peng e kërcënimeve të Ramës, apo do të veprojë? Pra, çfarë duhet të ndodhi tjetër këtu që të thërrasësh kryeministrin, se nuk ka, në asnjë vend të botës nuk do të qëndronte dot kryeministër Edi Rama. Po në narkoshtet qëndron. Sepse në narkoshtet është edhe drejtësia që nuk vepron.

Pra, hapi i parë drejt një hetimi serioz në çështjen e Vlorës dhe të Ergys Agasit do të ishte pezullimi nga detyra i Edi Ramës. Sepse ai refuzon të largohet. Dhe Edi Rama sot është i kompromentuar edhe si kryeministër, është i marrë peng nga karteli, qoftë i Vlorës dhe Ergys Agasit, po njëkohësisht dhe Belinda Ballukut. E, si rrjedhojë, qenia e tij kryeministër është kërcënim për interesin kombëtar, për sigurinë kombëtare dhe për të ardhmen e vendit.

Në këtë aspekt, mendoj që drejtësia mund të veprojë në interes publik me pezullimin nga detyra të Edi Ramës. Ai nuk është i votuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli, por është i votuar nëpërmjet votave në parlament. Pra, njësoj si çdo ministër tjetër. Kështu që ai mund të largohet, mund të pezullohet, dhe drejtësia, në qoftë se do të donte të kryente një detyrë konkrete për të pasur hetime të vërteta, ky duhet të ishte hapi i parë.

Fatkeqësisht, deri tani kjo nuk po ndodh, por në të gjitha rastet, këto muaj, për hir të së vërtetës, janë thjesht procedura dhe diskutime, por ky pushtet ka mbaruar dhe Rama vetë është një kufomë politike, nuk ka asnjë diskutim që nuk vazhdon më kjo situatë, se nuk mund të lihet vendi peng i askujt.

Dhe sot, fatmirësisht, nuk ka as kombëtar apo ndërkombëtar që nuk e di që kjo qasje e pushtetit aktual nuk mund të vazhdojë më në këtë formë, thjesht dhe vetëm për të mbrojtur Edi Ramën. Pra, nuk mundet që kryeministria të punojë mëngjes, drekë, darkë, i gjithë ekzekutivi, vetëm për të mbrojtur Edi Ramën në kurriz të qytetarëve.

Se tani çfarë ndodh? Tani vijnë, duhet bërë vjedhje më të mëdha, sepse sa më keq, sa më shumë përkeqësohet situata e Ramës, aq më shumë para duhet të paguash nëpër gjykata. Sa më shumë përkeqësohet situata e qeverisë, aq më shumë duhet të paguash nëpër media. Pra, tani rriten edhe kërkesat e vjedhjeve, rriten dhe çmimet për të ndihmuar apo për të dalë në krah të Edi Ramës, e si rrjedhojë, këtë e vuajnë qytetarët. Pra, nuk mund të merret peng shteti thjesht dhe vetëm për interesat e një individi.

Të gjitha bashkë janë ato, por në të gjitha rastet, kushdo që do të bëhet pjesë e mekanizmit për goditjen e Republikës dhe për mbrojtjen e Edi Ramës, do të rrënohet, do të rrënohet dhe vetë, do të bjerë edhe vetë, do të shkërmoqet dhe vetë.

Pra, në qoftë se SPAK-u kërkon të vazhdojë t'i lëpihet Edi Ramës, punë e tij, po do të bjerë edhe ai, njësoj bashkë me Ramën. Pra, nuk ka asnjë diskutim, është çështje e mbyllur Rama.

Partia Demokratike tani po bëhet gati edhe nëpërmjet programit të saj, për një program thellësisht me detaje për rindërtimin e Republikës. Situata është shumë e agravuar, jemi në një situatë jashtëzakonisht kritike, qoftë nga pikëpamja ekonomike, por edhe nga ana e sigurisë. Praktikisht, siguria ka rënë.

Prandaj dhe shikojmë që bandat vrasin në mes të ditës, siç ndodhi në Sarandë, shikojmë qytetarë që mbeten viktima të përplasjeve të bandave, siç ka ndodhur në Shkodër, apo në Don Bosko, në Tiranë e në shumë vende të tjera. Sepse të gjitha institucionet e sigurisë punonin për bandat. Nuk punonin kundër bandave, nuk punonin me bandat, po punonin për bandat. Dhe patjetër kjo, me udhëzim të Edi Ramës.

Dhe në këtë aspekt, ne e kemi zgjidhjen, e kemi ilaçin, e kemi provuar që ne dimë ta luftojmë krimin. Dua t'ju kujtoj që kur erdhëm në pushtet në 2005-ën, kjo, për ata që na ndjekin, Aldo Bare kishte një komisariat të vetin personal në Lushnje. Dhe bënte arrestime, kryente arrestime Aldo Bare me efektivët e vet personalë të policisë, që torturonin njerëzit, i arrestonin njerëzit.

Dhe pastaj, pasi erdhëm ne në pushtet, e gjetëm nëpër shkurret ku ishte fshehur dhe shkoi në burg si shumë e shumë të tjerë, të cilët quheshin si të paprekshëm.

Pra, ne dimë ta luftojmë krimin, e kemi antidotin për këtë situatë, kemi eksperiencën për këtë situatë. Kemi mbi të gjitha dhe lartësinë morale, pasi të gjitha këto që mund t'i vijnë si habi shumë njerëzve të tjerë, por unë e kam përmendur lidhjen e Vlorës me Ergys Agasin prej rreth dy vitesh tashmë.

Dhe nuk më vjen si surprizë sot. Ja kam thënë Vlorës në sy në komisionin e punëve të brendshme, e kam përmendur në interpelancën për AKSH-in, e kam përmendur në ngritjen e komisionit hetimor për AKSH-in, sepse e gjithë kjo erdhi si rrjedhojë e hetimit që po kryen drejtësia në lidhje me organizatën kriminale të AKSH-it.

Pra, kjo mund t'i vijë si surprizë ndonjë tjetri, personalisht nuk më surprizon fare. E vetmja gjë që vlen të përmendet është që tashmë çdo qytetar e shikon vetë që ne jetojmë në një narkoshtet.

Se kur flisnim për narkoshtetin, na shikonin me habi dhe me dyshim, për hir të së vërtetës, edhe ndërkombëtarët. Sot, nuk ka më dyshime. Edi Rama ka arritur të ndërtojë narkoshtetin e parë në Evropë dhe arriti të shkatërrojë Republikën e Shqipërisë. Ne do ta rindërtojmë.’, tha deputeti i PD-së, Klevis Balliu në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco