Celebrities Gossip Showbiz

Ben Affleck flet për humbjen e prindërve! “Tani e shoh fëmijërinë time ndryshe”

Ben Affleck ka folur për herë të parë publikisht për humbjen e të dy prindërve, të cilët ndërruan jetë vetëm dy muaj larg njëri-tjetrit. Aktori tregoi se këto humbje e kanë bërë të rikthehet te fëmijëria e tij dhe të shohë në një mënyrë tjetër marrëdhënien me prindërit.

Gjatë një bisede me kolegen e tij Kerry Washington në podcastin “Street You Grew Up On”, Affleck tha se babai i tij, Timothy, ndërroi jetë në prill, ndërsa nëna, Chris Anne, në qershor të këtij viti.

Prindërit e mi sapo kanë vdekur, të dy. Në prill dhe në qershor. Është një gjë e madhe dhe më ka bërë të filloj të mendoj për fëmijërinë time në një mënyrë paksa ndryshe

-u shpreh aktori.

Humbja e nënës duket se ka ndikuar veçanërisht në mënyrën se si Affleck e sheh sot rolin që ajo pati në jetën e tij. Ai tha se pas vdekjes së saj ka filluar ta vlerësojë edhe më shumë përkushtimin dhe sakrificat që ajo bëri për të dhe vëllain e tij, Casey.

Një prej gjërave që e ndihmuan ta shihte nënën e tij nga një këndvështrim tjetër ishin disa letra që ajo kishte shkruar në rininë e saj dhe që ai i lexoi pas vdekjes së saj.

Në to, Affleck zbuloi një grua të re me ambicie, ëndrra dhe interesa të ndryshme, e cila ende po mendonte se çfarë rruge do të ndiqte në jetë. Ajo kishte menduar edhe për profesione si mësuese apo punonjëse sociale dhe ishte e përfshirë në çështje shoqërore.

Ajo grua kishte gjithë jetën e saj për 30 vjet, që nuk kishte të bënte fare me mua

-tha Affleck, duke reflektuar për faktin se si fëmijë e kishte parë nënën kryesisht përmes rolit të saj si prind.

Aktori tha se tashmë e kupton më qartë se sa shumë ajo kishte sakrifikuar për familjen.

Gjithçka që dija ishte një person që më kishte bërë mua dhe vëllain tim qendrën absolute të jetës së saj

-kujtoi ai.

Chris Anne Affleck kishte studiuar në Harvard dhe punoi për 35 vjet si mësuese në shkollat publike. Ajo ishte gjithashtu e angazhuar në çështje të të drejtave civile dhe aktivitete shoqërore. Ajo ndërroi jetë më 2 qershor, në moshën 83-vjeçare.

Në bisedë, Affleck foli edhe për marrëdhënien e vështirë mes prindërve të tij dhe divorcin e tyre. Ai kujtoi se kur ata i treguan atij dhe Casey-t se do të ndaheshin, ai ishte rreth 11 vjeç dhe, në vend që të ndihej i trishtuar, kujton se kishte ndier lehtësim për shkak të konflikteve që kishte parë në shtëpi.

Babai i tij, Timothy, ndërroi jetë në prill, në moshën 76-vjeçare. Lajmi u konfirmua publikisht nga Casey Affleck gjatë Festivalit të Filmit në Venecia në shtator.

Për Ben Affleck, humbja e të dy prindërve brenda një periudhe kaq të shkurtër duket se ka sjellë një periudhë reflektimi mbi familjen, fëmijërinë dhe mënyrën se si i kupton sot sakrificat e prindërve të tij.