Seanca e Metës shtyhet pas bojkotit të avokatëve, Blushi: Situata po cenon procesin ligjor
Përplasja mes GJKKO-së dhe Dhomës së Avokatisë, e shoqëruar me bojkotimin e seancave gjyqësore nga avokatët, pritet të diskutohet edhe në Kuvend. Partia e Lirisë ka paralajmëruar paraqitjen e një kërkese të re parlamentare për situatën, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, e ka lidhur konfliktin institucional me procesin gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe me çështjen e afateve të paraburgimit të tij.
Sipas Blushit, përplasja mes GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë nuk është një konflikt i zakonshëm institucional, por një situatë e krijuar qëllimisht për të ndikuar në procesin ndaj Metës. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe Ergys Agasin se qëndrojnë pas kësaj situate, pa paraqitur në deklaratën e tij prova publike për këto pretendime.
“Konflikti i qëllimshëm, i nxitur nga Edi Rama dhe Ergys Agasi, ndërmjet GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës së Avokatisë, është stisur posaçërisht për të zgjatur mbajtjen në izolim të Ilir Metës”, deklaroi Blushi. Ai pretendon se situata po ndikon jo vetëm në çështjen e ish-presidentit, por edhe në ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes dhe në garantimin e një procesi të rregullt ligjor për të paraburgosurit e tjerë.
PL kërkon që Kuvendi të thërrasë institucionet përgjegjëse për të dhënë shpjegime mbi situatën dhe për të garantuar funksionimin normal të procesit gjyqësor. “Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të heshtë dhe as të qëndrojë spektator”, tha Blushi, duke njoftuar se kërkesa do të paraqitet në Parlament të premten.
Përplasja mes GJKKO-së dhe Dhomës së Avokatisë ka sjellë bojkotimin e seancave nga avokatët, duke shkaktuar shtyrje të proceseve gjyqësore. Debati pritet të vijojë tashmë edhe në planin parlamentar, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë masash do të kërkojë dhe do të ndërmarrë Kuvendi lidhur me situatën.

