Akuzat në bllok për popullsinë çame për bashkëpunim me pushtuesit italianë e gjermanë gjatë Luftës së dytë botërore, u shoqëruan me kërcënime ndaj perspektivës së integrimit europian të Shqipërisë, nga Presidenti grek Konstantinos Tasoulas, në fjalën e mbajtur në Paramithi, me rastin e përkujtimit të 49 viktimave të ekzekutuara në vitin 1943.

“Interpretimi i drejtë, njohja e drejtë dhe pranimi i drejtë i historisë, veçanërisht për atë periudhë të errët, kanë të bëjnë me njohjen e arsyes për të cilën çdo vend synon të hyjë në Evropë”, deklaroi Tasoulas.

Presidenti grek përmendi më shumë se 1.700 vendime të Gjykatës Speciale të Bashkëpunëtorëve të Janinës deri në vitin 1948, me të cilat, sipas tij, u dënuan çamë myslimanë dhe iu konfiskuan pronat për krime të kryera në Thesproti, krahina fqinje me kufirin e sotëm jugor të Shqipërisë.

Madje presidenti grek shkoi deri aty sa foli për një bashkëpunim që sipas tij kishte synuar Shqipërinë e Madhe. Duke folur për të rënët grekë në atë rajon, ai u shpreh se “ata nuk ranë, si në zona të tjera të Epirit dhe të Greqisë, në altarin e lirisë përballë trupave të pushtimit nazist, por ranë edhe në altarin e mbrojtjes së grekësisë së Thesprotisë dhe të zonës më të gjerë të Paramithisë, nga kthetrat e mprehta të çamëve myslimanë, të cilët, në bashkëpunim të ngushtë me trupat italiane dhe gjermane të Pushtimit, synonin, por më kot, të realizonin territorialisht, në dëm të Thesprotisë, idenë e Shqipërisë së Madhe, të cilën Hitleri ia kishte premtuar Shqipërisë".

Tasoulas theksoi se këto referime historike, sipas tij, nuk synojnë të drejtohen kundër askujt, por në fakt, duke iu refereruar drejtpërdrejtë Shqipërisë dhe integrimit të saj evropian, ai deklaroi se “nuk mund të synosh të hysh në Evropë dhe të mohosh dënimin dhe realitetin historik të atyre që shkaktuan një dhimbje të tillë. Sepse kjo dhimbje ishte një nga arsyet themelore të krijimit të Bashkimit Evropian.”

Reagimi i Fondacionit Çamëria

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, e konsideroi vizitën e presidentit grek në Paramithi, si një rast ku një ngjarje historike u përdor për të përcjellë një mesazh politik ndaj Shqipërisë. Përmes një deklarate, Fondacioni dënon pa asnjë rezervë ekzekutimin e 49 civilëve grekë në vitin 1943 dhe se dhimbja e familjeve të tyre meriton respekt. Megjithatë, kundërshton atë që e konsideron si përgjegjësi kolektive ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

“Përgjegjësia penale është individuale”, thuhet në reagim, duke kërkuar që çdo person që ka bashkëpunuar me pushtuesin ose ka kryer krime të identifikohet mbi bazën e provave konkrete.

Fondacioni kërkon gjithashtu publikimin e vendimeve të Gjykatës Speciale të Janinës dhe emrave të personave të dënuar, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në sqarimin e përgjegjësive konkrete dhe në njohjen e plotë të ngjarjeve historike.

Lidhjen që Presidenti grek bëri mes historisë së Çamërisë dhe rrugëtimit evropian të Shqipërisë, Fondacioni e konsideron si një mesazh politik që kërkon reagim institucional nga Tirana: “Veprimet e individëve apo grupeve që kanë bashkëpunuar me pushtuesit nuk mund t'i atribuohen kolektivisht popullit shqiptar apo shtetit shqiptar”.

Në përfundim, Fondacioni Çamëria deklaron se kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë për drejtësi dhe shqyrtimin e të drejtave pronësore nuk përbëjnë, sipas tij, armiqësi ndaj popullit grek dhe kërkon që çështjet historike mes dy vendeve të trajtohen përmes dialogut dhe dokumenteve.