Një 23-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë automobilistik në aksin Fushë Krujë–Tiranë, pranë fshatit Larushk.
Ngjarja ndodhi teksa automjeti drejtohej nga një 18-vjeçar, i cili dyshohet se kishte nisur një parakalim të gabuar. Për të shmangur një automjet Volkswagen që po lëvizte në drejtim të kundërt, drejtuesi humbi kontrollin dhe makina përfundoi duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës.
Si pasojë e përplasjes, pasagjeri 23-vjeçar, shtetas egjiptian dhe me profesion mekanik, humbi jetën në vendngjarje. Ai punonte në kompaninë e familjes së 18-vjeçarit që drejtonte automjetin.
Ndërkohë, 18-vjeçari mbeti i plagosur dhe u nis drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Gjatë transportimit të tij drejt Tiranës, autoambulanca që po e shoqëronte u përplas me një tjetër automjet në afërsi të kryeqytetit. Sipas informacioneve paraprake, nga përplasja nuk pati të lënduar mes stafit mjekësor dhe të plagosurit.
Pas incidentit, 18-vjeçari u transferua në një tjetër autoambulancë, e cila e dërgoi në Spitalin e Traumës.
Policia dhe grupi hetimor kanë nisur verifikimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe shkaqet që çuan në përplasjen fatale.













