
Mark Zuckerberg ka tërhequr vëmendjen gjatë një aktiviteti të Meta-s, jo vetëm për diskutimet rreth teknologjisë, por edhe për orën që kishte zgjedhur të mbante në dorë.
I pyetur për modelin, themeluesi i Meta-s zbuloi se ora është krijim i orëndreqësit me origjinë nga Kosova, Rexhep Rexhepi.
Bëhet fjalë për Chronomètre Contemporain I, një prej modeleve që ka konsoliduar emrin e Rexhepit në mesin e koleksionistëve të orëve të nivelit të lartë.
“Është një krijim i Rexhepit. Është fantastike!”, u shpreh Zuckerberg, teksa tregoi orën.
Modeli është i veçantë edhe për vlerën që ka fituar në treg. Chronomètre Contemporain I është ofruar fillimisht me një çmim rreth 55-60 mijë dollarë, ndërsa një ekzemplar i tij është shitur më vonë në ankand për rreth 1.26 milionë dollarë.
Ora e Zuckerberg ka kasë prej floriri rozë 18-karatësh dhe një fushë të zezë të punuar me smalt përmes teknikës tradicionale “grand feu”, e cila kërkon pjekjen e smaltit në temperatura shumë të larta.
Vlera e orëve të Rexhepit lidhet edhe me prodhimin tejet të kufizuar. Punishtja e tij në Gjenevë prodhon rreth 40-50 orë në vit, ndërsa një pjesë e madhe e procesit realizohet me dorë.
Kështu, ora e zgjedhur nga Zuckerberg nuk është thjesht një aksesor luksoz, por një krijim i rrallë i një prej emrave të orëndreqjes së pavarur moderne./Versus.al
Ahead of the big annual @Meta conference, Zuckerberg answered yesterday some short questions and revealed he wears Rexhep Rexhepi watches, the Kosovo-born watchmaker who has become one of the most celebrated watchmakers in the modern era. https://t.co/WqaG9i3FCA
— Petrit Selimi (@Petrit) September 24, 2026

