Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua me Ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, në kuadër të takimit ministror të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Pržno të Malit të Zi.
Të dy ministrat patën një shkëmbim thelbësor, me fokus rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
“Shpreha vlerësimin tonë të thellë për mbështetjen e qartë, konsistente dhe të vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e zgjerimit të BE-së dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, shkroi ministri Hoxha në rrjetin social X pas takimit.
Hoxha nënvizon se “angazhimi i fuqishëm i Gjermanisë për një proces zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në merita përbën një kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e momentumit dhe avancimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor”.
Sipas Hoxhës, agjenda ambicioze e reformave të Shqipërisë dhe prioritetet në vijim të negociatave të anëtarësimit mbeten çelësi i së ardhmes sonë evropiane.
“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të përmbushur zotimet tona dhe për të avancuar mbi bazën e meritave, ndërsa punojmë ngushtë me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë drejt një Evrope më të fortë, më të bashkuar, më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, deklaroi ministri i Jashtëm.
Lini një Përgjigje