Në parkun “Rinia” në zemër të kryeqytetit pritet të ndërtohet një kullë, e pagëzuar si “Tirana Fountain Plaza”, që do të zëvendësojë godinën aktuale të kompleksit “Tajavani” që është një pronë private.

Mes pesë projekteve për rikualifikimin urban të Parkut “Rinia, juria ndërkombëtare ka shpallur fitues projektin e studios nga Danimarka të ‘Bjarke Ignels Group”.

Propozimi është për të ngritur një ndërtesë tredimensionale mbi nivelin e tokës përmes kolonave, që poshtë ka hapësira të gjelbra, dhe lartë krijon idenë e një reje.

Në këtë kullë do të ketë zyra, struktura hoteliere, hapësira për aktivitete kulturore si dhe hapësira publike, pasi synimi është krijimi i një parku të ri me më shumë gjelbërim.

Gjithashtu nuk do të mungojë as shatërvani, por ndryshe nga ai aktual, “shiu” këtë herë do të bjerë nga lartësia, pasi uji do të rrjedhë nga ndërtesa që do të ngrihet.

Pak para se të prezantoheshin projektet, kreu i qeverisë garantoi se parku publik “Rinia” nuk do të preket nga kjo ndërhyrje, të cilën e konsideroi si një etapë tjetër të vizionit për Tiranën e vitit 2030.

“Është shumë e qartë edhe në perimetrin e përcaktuar nga konkursi që çfarëdo që do të vendoset dhe çfarëdo që do të zhvillohet, do të duhet të rivlerësojë dhe të ndikojë në rigjenerimin e edhe të vetë Parkut, pa prekur asgjë që aty natyra ka si prani, por duke shtuar”, tha Rama.

Në garë për këtë projekt ishin 5 studio të njohura ndërkombëtare arkitekturore nga Spanja, Danimarka dhe Franca, të cilat u prezantuan këtë të enjte në konkursin ndërkombëtar për Tirana Fountain Plaza.