Një sulm, i cili mund të rezultonte në një tragjedi të përmasave të mëdha, ka ndodhur në Ukrainë.
Autoritetet njoftuan se një dron rus goditi një shkollë në Kiev; ky ishte rasti më i fundit në një valë sulmesh ajrore gjithnjë e më të rënda ndaj kryeqytetit ukrainas. Një video e siguruar nga Reuters tregohet momenti kur droni u përplas me shkollën, duke shkaktuar një shpërthim të frikshëm, shkruan A2.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, deklaruan se më 1 tetor kishte ndodhur një sulm ndaj një shkolle në Kiev. Klitschko tha se fëmijët ndodheshin në strehimoren e shkollës kur droni goditi, por nuk u raportuan të lënduar.
Sulmi i mëngjesit ndodhi në një kohë kur po shtohen sulmet ruse gjatë gjithë ditës e natës ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase me dronë me motor reaktiv – një kërcënim që ushtria ukrainase e ka gjithnjë e më të vështirë ta përballojë.
“Ata nuk kursejnë askënd. Fëmijët janë e ardhmja jonë, e ardhmja e kombit tonë. Për të shkatërruar një komb, natyrisht, atyre u duhet të shkatërrojnë fëmijët. Kjo është arsyeja pse ata vazhdojnë të godasin institucionet arsimore. Por ne po qëndrojmë të fortë, po punojmë dhe po u japim mësim fëmijëve”, tha Valentyna Chorna, drejtoresha e shkollës.
Tetiana Prokopovych, 52 vjeçe, mësuese e matematikës dhe e shkencave kompjuterike, tha se nxënësit që po strehoheshin brenda kishin parë një shkëlqim përmes një kanali ajrimi: “Ata nuk janë qenie njerëzore nëse vënë në shënjestër fëmijët. Ata godasin spitale dhe kjo është normale për ta. Shkolla – kjo nuk është shkolla e parë që kanë goditur, dhe edhe kjo është normale për ta”.
Ndërkohë raportohet se një urë mbi lumin Dniepër u godit gjatë sulmeve gjithnjë e më të ashpra të Rusisë ndaj qytetit, kështu deklaroi kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko. Ura Jugore nuk pësoi dëme të mëdha, por qarkullimi i metrosë mbi të u ndërpre përkohësisht. (A2 Televizion)