Një pyetje për orën që Mark Zuckerberg kishte zgjedhur të mbante në dorë i dha themeluesit të Meta-s mundësinë të fliste për një prej emrave më të veçantë të orëndreqjes moderne. Gjatë një aktiviteti të kompanisë, Zuckerberg u pyet për modelin që kishte vendosur të mbante dhe zbuloi se bëhej fjalë për një krijim të orëndreqësit me origjinë nga Kosova, Rexhep Rexhepi.
Ora është një Chronomètre Contemporain I, një prej modeleve që ka ndihmuar në konsolidimin e reputacionit të Rexhepit mes koleksionistëve të orëve luksoze dhe të prodhimit të kufizuar.

“Është një krijim i Rexhepit. Është fantastike!”, u shpreh Zuckerberg, ndërsa tregonte orën.
Përtej dizajnit dhe mjeshtërisë së punimit, modeli ka një histori të veçantë edhe për vlerën që ka fituar në treg. Chronomètre Contemporain I u ofrua fillimisht me një çmim rreth 55-60 mijë dollarë, ndërsa vite më vonë një ekzemplar i këtij modeli u shit në ankand për rreth 1.26 milionë dollarë.
Modeli që mban Zuckerberg është i pajisur me një kasë prej floriri rozë 18-karatësh dhe një fushë të zezë të punuar me smalt përmes teknikës tradicionale “grand feu”. Kjo teknikë kërkon pjekjen e smaltit në temperatura shumë të larta për të krijuar sipërfaqen karakteristike të fushës.
Në vlerën e lartë të këtyre orëve ndikon edhe prodhimi jashtëzakonisht i kufizuar. Punishtja e Rexhepit në Gjenevë prodhon vetëm rreth 40 deri në 50 orë në vit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e procesit të punimit kryhet me dorë.
Rexhep Rexhepi lindi në Kosovë dhe u transferua së bashku me familjen në Gjenevë kur ishte vetëm 11 vjeç. Katër vite më vonë, ai nisi praktikën pranë Patek Philippe, duke u futur në botën e orëndreqjes zvicerane që në moshë shumë të re.
Në moshën 25-vjeçare, Rexhepi ndërmori hapin për të krijuar markën e tij dhe themeloi Akrivia. Me kalimin e viteve, marka u shndërrua në një prej emrave të njohur të orëndreqjes së pavarur dhe krijimet e saj nisën të kërkoheshin nga koleksionistët në mbarë botën.
Ahead of the big annual @Meta conference, Zuckerberg answered yesterday some short questions and revealed he wears Rexhep Rexhepi watches, the Kosovo-born watchmaker who has become one of the most celebrated watchmakers in the modern era. pic.twitter.com/WqaG9i3FCA
— Petrit Selimi (@Petrit) September 24, 2026
Kërkesa e lartë ka ndikuar edhe në çmimet e modeleve të tij në tregun e ankandeve. Një prej orëve të Rexhepit ka arritur një vlerë prej 2.3 milionë dollarësh, ndërsa Chronomètre Contemporain I ka kaluar shifrën e 1.26 milionë dollarëve.
Megjithatë, pavarësisht kërkesës së madhe, Rexhepi ka zgjedhur të mos rrisë prodhimin. Ai ka treguar gjithashtu se ka refuzuar oferta prej 800 mijë dhe 1 milion dollarësh për disa modele që nuk prodhohen më, duke zgjedhur të mos i rikthejë ato në prodhim.

Kjo qasje, e kombinuar me prodhimin e kufizuar dhe punën artizanale, ka bërë që krijimet e Rexhepit të konsiderohen ndër objektet më të kërkuara në segmentin e orëndreqjes së pavarur. Tashmë, një prej tyre është bërë pjesë edhe e koleksionit të Mark Zuckerberg.


