
Një dosje gjyqësore në Venezuelë ka hedhur dritë mbi rastin e shtetasit me origjinë shqiptare dhe kolumbiane, Enid Kasmi, i cili ishte raportuar i arrestuar në Venezuelë në maj të vitit 2025.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta kolumbiane El Tiempo nga Dhoma e Kasacionit Penal e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Venezuelës, Kasmi nuk ishte vetëm subjekt i një procedure ekstradimi të kërkuar nga Belgjika, por ishte gjithashtu nën hetim në Venezuelë për akuza që lidhen me komplotin, terrorizmin, financimin e terrorizmit dhe organizimin kriminal.
Dokumentet bëjnë me dije se Kasmi, i cili ka shtetësi kolumbiane dhe shqiptare, kërkohej nga autoritetet belge për të vuajtur një dënim të pretenduar prej 12 vitesh burgim dhe një gjobë prej 560 mijë eurosh, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge.
Kërkesa zyrtare për ekstradimin e tij mbërriti në Gjykatën e Lartë të Venezuelës më 23 korrik 2025, pas komunikimeve të përcjella nga autoritetet belge. Në dosje përfshiheshin edhe një urdhër ndërkombëtar arresti dhe vendimi përfundimtar i një gjykate në Bruksel, të datës 29 tetor 2024.
Arrestimi në Venezuelë
Sipas dokumenteve të publikuara nga El Tiempo, më 26 gusht 2025 Dhoma e Kasacionit Penal kërkoi informacion për vendndodhjen dhe statusin e Kasmit.
Përgjigjja e autoriteteve venezueliane, e marrë më 13 tetor 2025, konfirmonte se ai ishte i përfshirë në një hetim penal në Venezuelë dhe figuroi si i pandehur për veprat e “komplotit”, “terrorizmit, financimit të terrorizmit dhe organizimit”.
Dokumenti gjithashtu deklaronte se Kasmi ishte arrestuar nga DGCIM më 19 maj 2025 dhe ishte paraqitur më pas përpara një gjykate të posaçme të shkallës së parë në Caracas, me kompetencë për çështjet që lidhen me veprat e terrorizmit.
Hetimi belg për trafikun e kokainës
Paralelisht me procedurën në Venezuelë, autoritetet belge vijonin përpjekjet për ekstradimin e tij.
Sipas dosjes, çështja belge lidhej me një hetim ndërkombëtar të bazuar në komunikimet e koduara të rrjetit EncroChat, i përdorur nga organizata kriminale.
Autoritetet europiane dyshonin për një strukturë që importonte kokainë nga Amerika Latine drejt Belgjikës, ku droga dërgohej më pas në laboratorë për përpunim dhe shpërndarje në vende të tjera europiane. Në dosje, asetet e organizatës vlerësoheshin në më shumë se 200 milionë euro.
Në rastin e Kasmit, hetuesit belgë pretendojnë se ai kishte marrë pjesë në këtë organizatë nga shkurti 2020 deri në tetor 2021. Sipas dokumenteve të dërguara në Venezuelë, analiza e një llogarie në një platformë komunikimi të koduar, që i atribuohej atij, tregonte se ai dyshohej se organizonte importin e kokainës nga Amerika Latine, përfshirë edhe transportin ajror.
Gjykata nuk gjeti dot vendndodhjen e tij
Pavarësisht se autoritetet venezueliane kishin deklaruar se Kasmi ishte arrestuar në maj 2025, më vonë Gjykata e Lartë e Venezuelës nuk arriti të përcaktonte se ku ndodhej konkretisht.
Gjykata kërkoi informacion nga strukturat gjyqësore të Caracas për statusin e procedimit penal ndaj tij, por dokumentet e publikuara nga El Tiempo tregojnë se kërkesa nuk kishte marrë përgjigje.
Mungesa e informacionit për vendndodhjen e Kasmit pengoi edhe procedurën e ekstradimit drejt Belgjikës. Gjykata vlerësoi se, pa lokalizimin dhe kapjen e tij në kuadër të procedurës së ekstradimit, nuk mund të zhvillohej seanca për të vendosur nëse ai do t'u dorëzohej apo jo autoriteteve belge.
Për këtë arsye, Gjykata e Lartë urdhëroi Ministrinë Publike të ndërmerrte veprimet e nevojshme për “kërkimin dhe lokalizimin” e tij dhe vendosi të arkivonte përkohësisht dosjen e ekstradimit.
Vendimi, i datës 20 mars 2026, la të hapur mundësinë e rihapjes së procedurës nëse Kasmi lokalizohet zyrtarisht në territorin venezuelian.
Kështu, dosja lë një kontradiktë të pazgjidhur: autoritetet venezueliane deklarojnë se Enid Kasmi u arrestua më 19 maj 2025, ndërsa disa muaj më vonë Gjykata e Lartë thotë se nuk ka mundur të përcaktojë vendndodhjen e tij./Versus.al

