Ben Affleck ka rrëfyer një episod të frikshëm nga adoleshenca e tij, kur u ndalua në rrugë dhe u kërcënua me thikë nga dy djem më të mëdhenj. Aktori tregoi se situata mori një kthesë të papritur pasi kuptoi se i njihte nga lagjja.
Gjatë një bisede me Kerry Washington në podcastin “Street You Grew Up On”, Affleck kujtoi një ngjarje që kishte ndodhur kur ishte rreth 14 vjeç dhe po kthehej në shtëpi nga shkolla e mesme, në Cambridge, Massachusetts.
Ai tregoi se kishte parë dy djem me kapuç në anën tjetër të rrugës dhe e kuptoi se diçka mund të ndodhte. Fillimisht mendoi të largohej, por vendosi të vazhdonte rrugën.
Kaluan pranë meje, më kapën, nxorën një thikë dhe më thanë: ‘Më jep paratë’
-kujtoi aktori.
Affleck pranoi se ishte i frikësuar në atë moment. Megjithatë, pak çaste më vonë ai kuptoi se i njihte dy djemtë, pasi i kishte parë më herët duke luajtur baseball. Edhe ata e njohën atë, dhe situata u qetësua.
Isha i frikësuar. Por pastaj, nga cepi i syrit, kuptova se kush ishin. I njoha nga baseball-i dhe ishin djem më të mëdhenj që i njihja. Ata thanë: ‘Oh, çfarë bëhet?’ Dhe mendova: ‘Mesa duket, do të më lënë të iki’
-tregoi Affleck.
Por, sipas aktorit, historia mori një tjetër përmasë disa vite më vonë. Affleck tha se njëri prej djemve që e kishte ndaluar atë përfundoi duke vrarë një person tjetër me thikë dhe u dënua me 20 vjet burg.
Dhe në fakt, ai djalë që më grabiti përfundoi, nuk e di, tre ose katër vjet më vonë, duke vrarë dikë me thikë dhe shkoi në burg për 20 vjet
-tha ai.
Affleck tregoi gjithashtu se nuk ia kishte treguar menjëherë nënës së tij atë që kishte ndodhur. Ai shpjegoi se, kur ishte fëmijë, kishte prirjen t’i mbante për vete ngjarjet e këqija, sepse nuk donte ta shqetësonte apo ta frikësonte nënën.
Në të njëjtën intervistë, aktori foli edhe për fëmijërinë në Cambridge dhe për ndikimin që pati mësuesi i tij i dramës, Jerry Speca, në rrugëtimin e tij dhe të Matt Damon drejt aktrimit dhe skenaristikës.
Affleck tha se pa atë klasë drame, ai dhe Damon ndoshta nuk do të kishin shkruar “Good Will Hunting”, filmi që u solli të dyve një Oscar për skenarin më të mirë origjinal në vitin 1998.
Rrëfimi vjen në një periudhë kur Affleck dhe Washington po promovojnë filmin e tyre të ri, “Animals”, i cili pritet të dalë në kinema dhe në Netflix më 9 tetor.