AKTUALITET /

Dita e 124 e protestës në Tiranë/ “Në çdo takim me vezë e domate”, aksion i ri i protestuesve ndaj qeverisë

Protestuesit do të jenë të pranishëm edhe në aktivitetet e tjera publike të kryeministrit dhe ministrave.

Shkruar nga Versus

Dita e 124 e protestës në Tiranë/ “Në çdo takim

Në ditën e 124-t të protestës kundër qeverisë, protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim të aksioneve gjatë muajit tetor.

Një prej protestuesve, deklaroi nga protesta se tetori do të jetë një muaj me aksione të reja dhe se grupi i studentëve do të ndjekë aktivitetet publike të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

Ai tha se sot, së bashku me një grup studentësh, u drejtuan në QSUT, pasi mësuan se kryeministri Rama ndodhej aty për të përuruar investime.

“Sot është 1 tetor, ky do të jetë Tetori i Studentëve. Sot së bashku me një grup studentësh morëm vesh që Rama do të ishte në QSUT për të përuruar disa investime. Shkuam dhe ia thamë në sy thirrjen që kemi kohë që e themi në shesh: ‘Arrestoni Ramën!’”, u shpreh ai.

Protestuesit do të jenë të pranishëm edhe në aktivitetet e tjera publike të kryeministrit dhe ministrave.

“Rama dhe qeveria duhet ta dinë se nuk do të kenë asnjë ditë të qetë në jetën e tyre politike. Do t’i ndjekim këmbë për këmbë kudo që të jenë, në fushata, takime, do t’ua nxijmë jetën siç na e kanë nxirë ne gjithë këto vite”, deklaroi protestuesi.

Ai paralajmëroi gjithashtu protesta simbolike gjatë daljeve publike të kryeministrit.

“Çdo dalje e tij publike do të jetë makth, do ta ndjekim me vezë e domate kudo që të jetë”, tha Lika.

Protestuesit vijojnë tubimet e tyre prej 124 ditësh, ndërsa deklaratat e sotme sinjalizojnë intensifikimin e aksioneve gjatë muajit tetor./Versus.al

Poll