Putin: Nuk ka më siguri se armët e shkatërrimit në masë nuk do përdoren

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se është e pamundur të jemi të sigurt se armët e shkatërrimit në masë nuk do të përdoren kurrë dhe theksoi nevojën për të parandaluar një skenar të tillë.
Duke folur në forumin e klubit “Valdai”, ku marrin pjesë ekspertë ndërkombëtarë për Rusinë, në Moskë, Putin deklaroi: “A mund të jemi të sigurt se kjo armë nuk do të përdoret kurrë? Sigurisht që jo. Duhet ta kemi këtë parasysh dhe ta shmangim”.
Në të njëjtën kohë, presidenti rus shprehu vlerësimin se konfliktet ndërkombëtare ka shumë të ngjarë të vazhdojnë, ndërsa bota po ndryshon, por situata do të përmirësohet pasi, siç tha ai, hegjemonia e Perëndimit do të zbehet.
“Duhet të shmangen skenarët shkatërrues. Pavarësisht se cili skenar do të zhvillohet në nivel global gjatë viteve të ardhshme, vazhdimi i konflikteve ndërkombëtare është, për fat të keq, jashtëzakonisht i mundshëm. Kjo vjen pjesërisht për shkak se ndryshimet themelore që po vazhdojnë dhe mundësitë që ato ofrojnë ushqejnë ambiciet dhe gatishmërinë për të marrë përsipër rreziqe me synimin për të arritur një përfitim që duket jashtëzakonisht i madh”, deklaroi ai.




