Alarm në Helsinki, Finlanda heton serinë e thyerjeve në shtëpitë e deputetëve, nuk përjashtohet pista e huaj

1 Tetor 2026, 20:35Bota TEMA
Alarm në Helsinki, Finlanda heton serinë e thyerjeve në

Autoritetet finlandeze kanë nisur një hetim të gjerë pas zbulimit të një serie vjedhjesh me thyerje dhe përpjekjesh për ndërhyrje në banasat e disa prej anëtarëve të parlamentit. Kryetari i parlamentit, Jussi Halla-aho, konfirmoi në një konferencë për shtyp se bëhet fjalë për një numër “të konsiderueshëm” rastesh, të cilat megjithatë kanë ndodhur përgjatë një periudhe më të gjatë kohore, duke datuar që prej rreth një viti më parë.

Faza fillestare e hetimeve paraprake i është besuar Policisë së Helsinkit, ndërkohë që të gjithë deputetët janë ftuar të tregojnë vigjilencë të lartë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë. Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, e cilësoi ngjarjen si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve.

“Një sulm kundër një anëtari të parlamentit është një sulm kundër demokracisë.”, tha ai.

Reagimi i qeverisë dhe mundësia e përfshirjes së një fuqie të huaj

I pyetur nga gazetarët nëse pas këtyre incidenteve mund të fshihet dora e një fuqie të huaj, kryeministri finlandez Petteri Orpo u shpreh se kjo pistë është “shumë e mundur” në kontekstin aktual gjeopolitik.

“Nëse dikush përpiqet të destabilizojë Finlandën, ndjenjën tonë të sigurisë ose mbështetjen tonë për shembull për Ukrainën, kjo ka efekt të kundërt. Kjo forcon unitetin tonë,” theksoi kryeministri Orpo.

Ngjarja vjen në një kohë kur Finlanda ndodhet në gatishmëri të lartë që nga shpërthimi i konfliktit në Ukrainë në vitin 2022. Vendi nordik, që ndan një kufi tokësor prej 1,340 kilometrash me Rusinë, iu bashkua aleancës së NATO-s në prill të vitit 2023. Më parë, Helsinki ka akuzuar Moskën edhe për operacione të ashtuquajtura të “luftës hibride”, akuza të cilat Kremlini i ka mohuar vazhdimisht.

Lini një Përgjigje