Ukraina ka përdorur për herë të parë në luftime raketën balistike taktike FP-7, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky ka publikuar pamje që, sipas tij, tregojnë përdorimin e saj në një operacion ushtarak.
Njoftimin Zelensky e bëri përmes një postimi në Facebook, ku ndau edhe një video të momentit të përdorimit të raketës.
“Raketa balistike taktike ukrainase. FP-7. Përdorimi i parë luftarak. Faleminderit për rezultatin. Hapi tjetër: prodhimi”, shkroi presidenti ukrainas.
Përdorimi i FP-7 shënon një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet e Ukrainës për të zgjeruar kapacitetet e saj vendase në fushën e prodhimit të raketave dhe armëve. Kievi synon të rrisë prodhimin vendas dhe të ulë varësinë nga furnizimet ushtarake të aleatëve ndërkombëtarë.
Njoftimi për përdorimin e raketës vjen në një periudhë kur Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj objektivave që i konsideron pjesë të infrastrukturës ushtarake dhe logjistike ruse.
Më herët, Zelensky kishte deklaruar se forcat ukrainase kishin goditur disa objektiva, mes tyre pika në Detin e Zi, një lokacion për lëshimin dhe magazinimin e dronëve sulmues në rajonin e Oryolit, një objekt nafte në rajonin e Samarës dhe një depo furnizimi të forcave ruse në rajonin e Bryanskut.
Megjithatë, pretendimet për këto goditje, si dhe për efektet e tyre, janë deklarata të palës ukrainase dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.


