
Engjëll Zerdelinë nxënësit e njohin si mësues letërsie, ndërsa publiku si një autor që shkruan libra historie, sikurse: “Kongresi Arsimor i Lushnjës”, “Kongresi Kombëtar i Lushnjës”, “Kongresi Arsimor i Tiranës”, “Kongresi i Manastirit”, “Kongresi i Dytë i Manastirit” etj. Këtë të fundit ma dhuroi në Nju-Jork, ku ai jeton dhe punon. Edhe kur i ka rastisur të vizitojë Kongresin Amerikan, do t’i dhurojë dikujt një libër me “Kongres” dhe këtë e bën për inat të Kongresit të Berlinit, ku Bismarku ia hoqi Shqipërisë Kosovën dhe Klintoni ia riktheu.
Kur erdhi në Amerikë, puna e parë që i gjetën miqtë ishte te dy të moshuar arbëreshë, të cilët donin që t’u recitonte poezi për Shqipërinë, sidomos të autorëve të traditës. E mbyllën jetën duke dëgjuar poezi për atdheun, për të cilin i digjte malli. Ky mall në Amerikë do të përfshinte edhe Engjëllin. Shqiptarëve shumë shpejt dashuria u kthehet në mall.
Edhe librin për “Kongresin e Dytë të Manastirit”, duke iu referuar kongreseve të gjuhës shqipe, do ta nisë nga arbëreshët e Italisë, ku të parin e ka drejtuar De Rada. (S’është rastësi që Dora d’Istria, për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, zgjodhi Kalabrinë, ku propozoi të ngrihej një akademi sipas shembullit të Akademisë Franceze të Risheljesë. Ajo mbante lidhje të ngushta me Jeronim de Radën dhe Dhimitër Kamardën.)
Zgjimi fillon nga gjuha dhe alfabeti latin, si dëshmi e identitetit tonë evropian. Ky është thelbi i të gjithë librave të Engjëll Zerdelisë. Te gjuha u bashkuan të gjithë shqiptarët, pavarësisht parapëlqimeve për alfabetet.
“Zëri i arbëreshëve nuk duhet të jetë një vajtim për të kaluarën, por një kushtrim për të ardhmen e Shqipërisë”, – u shkrua në procesverbalin e Kongresit të Dytë Arbëresh në Lungro, më 1897, ku ishin të ftuar edhe intelektualë nga Shqipëria.
(Në mbështetje të alfabetit latin, në Berat u organizua një miting masiv, ku u dogjën publikisht rreth 10 mijë libra shkollorë të shkruar në arabisht. Nëse agjentët osmanë i dogjën shtëpinë organizatorit Babë Dudë Karbunara, rebelët proosmanë të Haxhi Qamilit e rrahën mizorisht me shkopinj dhe e tërhoqën zvarrë nëpër qytet. Ai më pas ndërroi jetë. Turkoshakët, grekofonët dhe serbofilët janë treguar më mizorë, sikurse u tregua edhe naziskini i batalionit SS “Skënderbeu”, Xhafer Deva, me sivëllezërit shqiptarë, duke u fshehur pas luftës kundër komunistëve. Askush nuk del në mbrojtje të të pafajshmëve që ministri i Brendshëm kuisling vrau në Tiranë e Shkodër, por merren me viktimat e Hashim Thaçit.)
Duke cituar gazetën e Mihal Gramenos, “Lidhja orthodokse” (1910), shoqëruar me një fotografi nga “Kodra e shkronjave” në Korçë, autori, jo pa qëllim, ndalet te kolonjarët që kishin shkruar në kraharor: “Rroftë Abëcëja shqipe!”
Megjithëse gazeta është orthodokse, në shkrim vihet në dukje: “Hipur mbi kuaj, shenjtëria e tij Baba Hyseni, Baba Qazimi, Baba Xhemali, Sheh Ibrahimi i Korçës, Sheh Qerimi, Sheh Hasani dhe Sheh Hyseni. Nuk mungonte as Hafëz Alia, imami i qytetit të Korçës dhe i pleqësisë ‘Përparimi’.” Kjo ishte në kontrast të plotë me skenën poshtëruese të dumbabëve, të cilët rrahën për vdekje Babë Dudë Karbunarën.
“Rrofshin shkronjat shqipe!”, – përshëndet Ymer bej Zavalani në kongres.
(Shumë prej emrave që do të shiheshin me përbuzje nga regjimi komunist i gjen në të gjitha ngjarjet e mëdha kombëtare, ku Petro Nini Luarasi ishte bashkë me Xhaferr Ypin, ndërsa Themistokli Gërmenji me Rexhep Mitrovicën. Ishin bashkë në Kongresin e Dytë të Manastirit dhe i ndau Lufta e Dytë Botërore. Ka ardhur koha që secilit t’i jepet haku, sikurse bën edhe autori i këtij libri, duke mos retushuar asnjë prej figurave. Si reminishencë e kohës së retusheve është “cancel culture”, kultura e fshirjes.)
Edhe pse mblidheshin për gjuhën, në fakt po i përgjigjeshin aktualitetit. Ndaj Dervish Hima, në fjalën e tij, ndalet atje ku shqiptarëve u dhembte më shumë:
“Na të këqyrim se çfarë kërkojnë fqinjët tanë. Grekët duan Epirin, serbët duan Stara Serbinë, duke i bërë shqiptarët orthodoksë të Kosovës me pahir serbë... Serbët po derdhin shuma të hollash për të serbizuar vëllezërit tanë kosovarë.”
A i kemi shpëtuar këtij halli? Oreksi shovin nuk ndihet kurrë i ngopur.
“Na kanë shpallur luftë në fushën e shkronjave”, – ishte i gjithë alarmi i kongresit. (Nëse Kadare do ta merrte Nobelin, njëherësh do të ishte edhe triumfi i shkronjave shqipe. Po kujt ia thua?!)
Ishin çelur 40 klube dhe asnjë shkollë.
(Oratori i kongresit, Dervish Hima, është takuar në Gjenevë me Leninin, kur udhëheqësi bolshevik ishte emigrant në Zvicër. Meqë e mësuat këtë fakt, luftojeni edhe Dervish Himën si të shitur te sllavët, kur ai rridhte nga një familje e pasur çifligare nga Struga. Themeloi dhe drejtoi disa gazeta me frymë kombëtare, si “Albania” në Bruksel, “L’Albania” në Gjenevë e Paris dhe “Arnavud” në Stamboll. I shpëtoi një atentati në Korçë nga qarqet osmane.)
Engjëlli, i mësuar të kalojë nëpër sy mijëra emra nxënësish në regjistër, nuk lë delegat pa përmendur, madje interesohet të kontaktojë me nipa e stërnipa për të mësuar rreth jetës së protagonistëve. Edhe shkollat ku ai mësoi mbajnë emra rilindësish. Për shkak të punës së të atit, ai ndoqi shkollat “Petro Nini Luarasi” në Ersekë, “Jani Vreto” në Leskovik dhe “Sami Frashëri” në Përmet. Ndërsa studimet e larta për gjuhë dhe letërsi i kreu në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.
Në fund të librit, autori u shpreh mirënjohje fototekës “Marubi”, Shkodër; “Xhimitka”, Berat; “Pici”, Shkodër; “Minardi”, Lushnjë; “Bali”, Tiranë; “Dobroniku”, Fier; “Nepravishta”, Lushnjë, dhe vëllezërve “Manaki”, Dibër. Ndaj edhe libri ngjason me një ekspozitë fotografike, ku dëshmohet historia. Njëherësh, ai u shpreh mirënjohje të gjitha familjeve që i ofruan materiale nga bibliotekat e tyre personale.
Udhëtimet e tij në Shqipëri lidhen edhe me botimin e një libri.
Lini një Përgjigje