Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Udhëtimi misterioz i Ron Yeffet

VIDEO/ ‘Nga Afrika, përmes Shqipërisë drejt Ukrainës’, Qyno flet për trafik armësh: SPAK të nisë hetimet

21:33, 01/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Elton Qyno ka ngritur dyshime për një skemë të mundshme të trafikut të armëve dhe municioneve, me një itinerar që, sipas interpretimit të tij mbi audiopërgjimet e publikuara, mund të përfshijë Afrikën, Shqipërinë dhe Ukrainën.

I ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, Qyno tha se prania e shtetasve ukrainas në audiopërgjimet e publikuara ngre pikëpyetje mbi destinacionin e mundshëm të armëve dhe municioneve që përmenden në biseda.

Sipas gazetarit, nga përmbajtja e audiopërgjimeve krijohet dyshimi se armët apo municionet mund të prodhohen në Sudan, të sillen në Shqipëri, të magazinohen ose paketohen dhe më pas të transportohen drejt Ukrainës.

‘Ajo kuptohet, por mirë do të ishte që të ishin përkthyer edhe bisedat që bënin shtetasit ukrainas në gjuhën e tyre, sepse, përderisa janë shtetas ukrainas në këtë audiopërgjim, kam përshtypjen se fusha e tregtisë së armëve apo municioneve që këta do të prodhonin në Sudan dhe më pas do t’i paketonin në Shqipëri, lidhet me Ukrainën. Edhe vetë Ukraina është sot zona më luftarake e Evropës dhe e botës në tërësi. Pra, aty janë frontet më të mëdha dhe ka nevojë për armë dhe municione.

Unë kështu e kuptoj, të paktën, të gjithë audiopërgjimin që ju po transmetoni. Ndërkohë, Shqipëria është një vend bazë ku do të magazinohen dhe do të paketohen dhe më pas, përmes aeroportit të Rinasit apo aeroportit të Kuçovës, do të kalojnë pikërisht në një front shumë më të gjerë luftarak, siç është Ukraina.

Fakti që zonja e mohoi herën e parë se nuk ka qenë në Sudan, ndërsa në një përgjim të dytë del dhe thotë se ka qenë, është domethënës. Roni Yeffet nuk e thotë këtë për ta fshehur vizitën, por e thotë në mënyrë të lirë dhe tregon se përfaqësuesja kryesore e Kajos këtu ka shkuar në Sudan, ka parë pjesën e prodhimit apo edhe të biznesit që kishte ngritur Roni Yeffet dhe atij i është lënë i gjithë besimi dhe të gjitha kontaktet për t’ia kaluar shtetases shqiptare, me qëllim që ajo ta menaxhojë aktivitetin edhe në Sudan dhe të gjithë skemën përmes Shqipërisë.

Duke qenë se ajo menaxhon një pjesë të madhe të kësaj industrie këtu, sigurisht që mund të kontrollonte edhe pjesën kryesore, siç ishte Sudani.

Kam përshtypjen se këtu, pavarësisht denoncimeve që vijnë nga media dhe investigimit që është bërë, fjalën e fundit e ka drejtësia. Drejtësia duhet të nisë një hetim sa më parë dhe jo ta mbajë çështjen vetëm në fazën e verifikimit të materialeve, sepse qysh prej ditës kur ju i keni publikuar e deri më sot jemi vetëm në fazën e verifikimit dhe nuk ka nisur një procedim penal.

Unë kam bërë kërkesë në SPAK dhe më ka ardhur një përgjigje se jemi në kuadër të verifikimeve dhe nuk kemi nisur regjistrimin e një procedimi penal. Në momentin që do të niste një procedim penal, prokurorisë do t’i lindte e drejta procedurale për të kërkuar dokumentet, kontratat dhe të gjitha fluturimet e avionëve të dyshuar si transportues të municioneve apo armëve përmes aeroportit të Rinasit apo aeroportit të Kuçovës.

Prokuroria mund t’i kërkojë Shërbimit Informativ Ushtarak informacion nëse ka apo nuk ka tregti armësh dhe, nëse po, ku bëhet magazinimi i municioneve.

Pra, ka shumë gjëra, por në kushtet kur edhe vetë SPAK-u po qëndron në një pozicion të njëanshëm dhe justifikohet me faktin se po verifikon, kjo më bën të dyshoj se ende nuk kemi një prokurori që të ketë këllqe dhe muskuj për ta çuar përpara këtë çështje me guxim dhe për ta hetuar.

Pavarësisht publikimit të këtyre audiopërgjimeve, nga ana tjetër ka reaguar edhe vetë kompania në fjalë, duke thënë se përgjimet janë bërë në zyrën e saj dhe se, nga ana procedurale, nuk kanë efekt provues në gjykatë apo efekt procedural ligjor.

Por kjo është një indicie e fortë për t’i thënë prokurorisë se këtu mund të kemi një aferë korruptive apo një aferë të trafikut të armëve dhe se duhet të nisë një hetim.

SPAK duhet të nisë një hetim, ta çojë deri në fund dhe ta shqyrtojë mirë informacionin për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me biseda rutinore, në kuadër të një plani operacional për tregti armësh apo municionesh, apo me biseda që janë vënë realisht në zbatim dhe nga territori shqiptar, nga bazat shqiptare, bëhet trafik apo shitblerje armësh me qëllim dërgimin e tyre në Ukrainë.

Unë nuk besoj se këto armë kanë ardhur nga Sudani, janë paketuar në Shqipëri dhe më pas janë kaluar sërish në Sudan apo në shtete të tjera të Afrikës Qendrore.

I gjithë dyshimi im, nga sa kam lexuar dhe dëgjuar në këto biseda që keni transmetuar, lidhet edhe me faktin se disa prej personazheve janë shtetas ukrainas. Pikërisht Ukraina është sot një nga fushat kryesore të luftimit në botë dhe, sipas këtij interpretimi, armët mund të merren nga Afrika, të sillen në Shqipëri dhe të paketohen këtu’, u shpreh gazetari Elton Qyno në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco