Atmosferë alarmi: po na zhduken komunat dhe bashkitë, po i marrin frymën pushtetit lokal, duam 100 bashki dhe komuna, nga 65 që kemi sot, ose ramë e vdiqëm. Poshtë teserat e Partisë Socialiste që na e bënë këtë hatà! T’i djegim ato në turrën e druve. Dhe vazhdon prej muajsh kjo odise e kërkesave për “demokraci pa kufi” në riorganizimin e pushtetit vendor. Prapë mirë: është hera e parë gjatë tridhjetepesë viteve demokraci që hapet goja pash më pash në një debat kaq të gjerë dhe të nxehtë për këtë temë. Nuk ka mbetur njeri në republikë pa e marrë vesh atë. Në këtë ndërmarrje për riorganizimin deri vonë ishte e përshirë edhe opozita, por ajo u zbyth duke u futur në “llogoren” e saj të njohur të bojkoteve pa kufi të çdo gjëje në këtë vend.
Historia
Në kohën e komunizmit vendi ishte i ndare në 26 njësi administrative të mëdha vendore që quheshin rrethe. Ato kishin kompetenca të gjera në të gjithë sektorët e ekonomisë, arsimit, kulturës, shëndetësisë etj. Vetëm mbrojtja dhe rendi nuk ishin në duart e tyre, gjithçka tjetër po. E keqja e komunizmit nuk i erdhi nga ajo ndarje territoriale, por nga asfiksimi deri në qelizë i iniciativës private në to. Dhe kështu mbërritëm në demokraci me një “tren” të vjetër me 26 vagona, por që gjithsesi, lëvizte akoma.
Në vitin 1992, para zgjedhjeve të reja vendore, Kuvendi me shumicë demokratike e ndau vendin në 176 bashki dhe komuna. “Trenit” të vjetër pra iu shtuan edhe 150 vagonë të tjerë. Jemi në demokraci pa kufi apo jo? Shto miell e shto ujë se do të dalë kos. Por vetëm demokrai ama, asnje kacidhe nga qeveria qendrore për pushtetin vendor, të braktisur tanimë totalisht në mjerimin e tij. Edhe ajo që kishte mbetur nga ekonomia komuniste ishte rrafshuar sipas teorisë së “terapisë së shokut”. Ja, hani pavarësinë lokale tani dhe … gjumë. Vendi kishte rreth 4 milionë banorë, gjashtëdhjetë përqind e të cilëve në fshat.
Shekulli i ri
Kjo gjendje kaotike dhe e mjeruar e pushtetit vendor të ndarë në “kashtë e koqe” vazhdoi për gati 25 vjet dhe i nxori themelet vendit. Atje ku kishte vërtet mundësi dhe hapësira për zhvillim serioz dhe me perspektivë për të gjithë, kryekomunarët u bënë kryepashallarë me të drejta të pakufuzuara. Pashai i Tepelenës nuk ishte asgjë para tyre. Ata shefa për ndërtime, ata për ekonominë, ata për gjithçka, gjysmë – injorantë me shkolle nate, pronarë pa tapi në territorin e bashkive/komunave të tyre, të konceptuara si çifligje personale vetëm për veten dhe për ata që i rrethonin, por jo për interesa afatgjata të vendit.
E dimë se çfarë hataje ndodhi me territorin në rrethinat e Tiranës dhe të qyteteve të tjera. E shohim se ç’po bën SPAK-u sot për t’i gjetur zullumqarët lokalë të pjesëve më të bukura të vendit, veçanërisht në bregdet e për t’i çuar ata prapa hekurave. Kryekomunarët ndërruan xhubletat dhe shallvaret e tyre me veshje “Armani”. Prona publike u kthye në “banjo publike” nga kioskat deri ne sheshin “SKënderbej”. Gjithnjë ne emër te “demokracisë pa kufi” në fushën e komptetencave lokale.
E sotmja
Para pak vitesh kjo gjendje e komunave dhe e bashkive pa fund mori fund me bashkimin e tyre në 65 bashki. “Trenit” të mbaruar iu shkurtuan plot 110 “vagonë” të zhgarravitur. Nuk pati ndonjë tragjedi kombëtare prej kësaj “hataje” që ndodhi me shkurtimin e komunave. Kjo shmangu një pjesë të anarkisë lokale, por vetëm një pjesë, jo të tërën, duke shpëtuar atë që mund të shpëtohej pas tridhjetë vitesh batërdie mbi territor. Por realiteti tregoi se edhe aq, pra 65, ishin shumë dhe prandaj duhen pakësuar edhe më tej.
Njësi lokale të mbetura pa njerëz, pa burime ekonomike, pa zhvillim, pa mbledhje të taksave, pa fëmijë, pa shkolla, pa çerdhe, pa kopshte. Vetëm me babëzinë për të zhvatur pambarim nga qeveria qëndrore, domethënë nga taksat që paguajnë të tjerët, fonde, fonde, fonde për rroga e punë të tjera shpesh pa vlerë. Administrata publike e vendit është rritur me rreth tridhjetë përqind në krahasim me ç’ka qenë më parë, pikërisht për shkak të kthimit të komunave dhe bashkive në “fabrika” punësimi pa punë, gjithnjë në emër të “pavarësisë” lokale.
Sot popullsia e fshatarave dhe qyteteve periferike është reduktuar mjaft, ndërsa popullsia e vendit ka rënë në 2.4 milionë, nga 4 që ishte më parë. Njerëzit janë afruar në Tiranë ose në qytetet e tjera të mëdha si dhe kanë ikur në emigraçion. Në ato zona nuk ka më as lindje fëmijësh, as çifte të reja, as dasma, kanë mbetur vetëm ca gërxho pleq, nga pesë deri në njëzetë familje e shumta në çdo fshat, se nuk duan ta braktisin vendlindjen. Mbi një mijë shkolla të kohës së komunizmit janë mbyllur në 2000 fshatra gjithsej që ka vendi, sepse nuk ka më fëmijë. Megjithatë, duam pavarësi lokale ose ramë e vdiqëm!
Modeli i Tiranës
Shqipëria e ka tani një model të përqëndrimit të pushtetit vendor dhe ky është kryeqyteti, Tirana. Me një Bashki të vetme të madhe me 13 minibashki në shërbim të qytetarëve në terren ajo po funksionon shumë mirë. Nuk kam vënë re ndonjë ankesë nga banorët e Tiranës se u janë mohuar shërbimet bazë prej faktit se ajo është tani vetëm një bashki. Nuk kam dëgjuar këtu për ndonjë grevë urie për “mungesë kompetençash”. Nuk kam parë ndonjë “amani, mbamëni more shokë, se do vras veten për pavarësinë lokale”, siç po na paraqitet prej muajsh situata në disa rrethina të vendit.
Punonjësit e minibashkive janë në krye të detyrës në çdo çast. Vetë jetoj në një lagje që quhet minibashki e fshatit, por nuk ndiej ndonjë dallim nga vitet e mëparshme kur ishim pjesë e lagjes 5 të qytetit. A është Tirana më e mençur apo më budallaqe se komunat periferike të vendit, xhanëm? Pse nuk po zhvillohet këtu asnjë protestë për atë qe nuk ka 13 bashki, por vetëm një bashki dhe 13 zyra të saj që u shërbejnë qytetarëve në terren? Ne e dimë që katundarët po vrapojnë drejt Tiranës, nuk po vrapojnë tironsit të rikthehen në katunde.
Shkodra dhe Elbasani
Këshillat bashkiake të Shkodrës dhe Elbasanait morën shembull prej Tiranës, duke votuar edhe ato për bashkimin me njësitë e deritanishme të pavarura në qarqet e tyre. Këto tri bashki, Tirana, Shkodra dhe Elbasani përbëjnë rreth 60 përqind të popullsisë së Republikës. Atëhere a u çmendën këto tri bashki, apo u çmendën ato 20 komuna që kërkojnë pavarësi me “çdo kusht”, me lugë në brez, në pritje të lëmoshave humanitare të qeverisë për to? Jo po na doli Belshi kunder, me kërkesën për pavarësi. Punë e madhe, Belshi është vetëm 10 minuta me makinë nga Elbasani. Të jetë i lumtur që nuk e kanë bashkuar me Tiranën, se është vetëm 30 minuta larg saj.
Krahina e Lurës në Dibër është prej kohësh në një bashki me Peshkopinë. Largësia mdis tyre është pesë orë me makinë. Kaq e kemi bërë kur isha atje me punë si inspektor arsimi 45 vjet më parë. Në Lurë nuk ka patur asnjë protestë për bashkimin e tyre me qytetin, asnjë. Atje nuk ka më kush të protestojë, mor ta marrsha, nuk ka më njerëz. Mos duan edhe këto komunat e tjera të kthehen si Lura e pastaj ta pranojnë bashkimit? Njerëzit e saj kanë ra në jalli, domethënë në Tiranë dhe Durrës ose në emigracion. Atje tani kanë mbetur vetëm liqenet, pishat dhe shqiponjat. Këto e kanë të ndaluar me ligj të protestojnë.
Lini një Përgjigje