Gazetari Enton Abilekaj ka kërkuar nisjen e një hetimi institucional mbi kontaktet e lidhura me TIMAK Defence dhe pretendimet për tregti armësh me palë në Sudan.
I ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV, Abilekaj u ndal te përmbajtja e përgjimeve të publikuara së fundmi, ku sipas tij flitet për kontakte konkrete me persona dhe struktura në Sudan, si dhe për mundësinë e sigurimit të armëve prej andej.
Sipas tij, nëse këto pretendime do të konfirmoheshin nga institucionet, do të duhej të verifikohej edhe nëse aktiviteti i kompanisë përputhet me kushtet e licencimit për tregtinë dhe prodhimin e armëve.
Abilekaj përmendi veçanërisht Shërbimin Informativ të Ushtrisë dhe SHISH-in si struktura që, sipas tij, mund të verifikojnë lëvizjet e personave të përfshirë, kontaktet e tyre dhe çdo gjurmë të mundshme të transportit të armëve përmes territorit shqiptar. Për përgjegjësitë konkrete, ai kërkoi gjithashtu përfshirjen e SPAK-ut.
“Jemi në prag të një skandali”, deklaroi gazetari, duke ngritur pikëpyetjen nëse armë me origjinë nga Sudani mund të kenë kaluar përmes Shqipërisë.
Abilekaj argumentoi se një skenar i tillë do të kërkonte verifikim të menjëhershëm, për shkak të detyrimeve që Shqipëria ka si vend anëtar i NATO-s dhe kuadrit të sanksioneve ndërkombëtare.
Në fokusin e tij ishte edhe udhëtimi dhe kontaktet e personave të lidhur me kompaninë në Sudan. Sipas Abilekajt, fakti që këta persona kanë zhvilluar takime dhe kanë diskutuar mundësi bashkëpunimi me palë sudaneze është një element që, sipas tij, duhet të hetohet.
“Minimumi që duhej të ishte bërë që nga dalja për herë të parë e audiopërgjimit ishte një hetim i shpejtë”, tha Abilekaj, duke shtuar se institucionet duhet të përcaktojnë nëse ka pasur shkelje të rregullave që lidhen me licencimin.
Gazetari ngriti gjithashtu pyetje mbi mënyrën se si mund të verifikohej nëse armë kanë hyrë apo kanë dalë nga Shqipëria. Sipas tij, gjurmët e udhëtimeve dhe lëvizjeve të personave mund të kontrollohen përmes sistemeve kufitare, ndërsa transporti i sasive të mëdha të armëve do të kërkonte verifikim të posaçëm.
TIMAK Defence është krijuar si një sipërmarrje e përbashkët mes KAYO-s, kompanisë shtetërore shqiptare, dhe TIMAK-ut. Dokumentet e Autoritetit të Konkurrencës e përshkruajnë KAYO-n si një shoqëri me aktivitet në projektimin, prodhimin, riparimin dhe tregtimin e pajisjeve dhe sistemeve të armatimit.













