Gazetari Lutfi Dervishi ka folur për sfidat që, sipas tij, Shqipëria duhet të përballojë në një moment kur procesi i integrimit europian po hyn në një fazë të rëndësishme.
I ftuar në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, Dervishi tha se Shqipëria nuk mund të mbështetet më te ideja se vendet e tjera kanë detyrimin ta ndihmojnë, duke argumentuar se përgjegjësia kryesore për zhvillimin e vendit i takon vetë politikës shqiptare.
“Gjithçka ka ndryshuar dhe ne ende mendojmë që jemi të përkëdhelurit, njerëzit e varfër, më të varfërit në kontinent, njerëzit që kishin probleme dhe që duheshin ndihmuar. Por, nuk na e ka borxh njeri”, u shpreh ai.
Sipas Dervishit, një nga momentet më të rëndësishme për Shqipërinë do të ishte vendosja e interesit publik mbi atë politik dhe personal.
“Është një moment i artë nëse lidershipi politik vë interesat e vendit mbi interesat personale”, tha gazetari.
Duke iu referuar historisë së tranzicionit shqiptar, Dervishi solli si shembuj periudha kur vendi ka kaluar nga situata të vështira drejt hapave të rëndësishëm të integrimit euroatlantik.
Ai përmendi vitin 1997 dhe më pas periudhën rreth vitit 2007, kur Shqipëria ishte pranë anëtarësimit në NATO, ndërsa procesi i integrimit europian dhe liberalizimit të vizave po avanconte.
Në këtë kontekst, Dervishi tha se ajo që kërkohet sot nga Shqipëria nuk është diçka e jashtëzakonshme, por respektimi i detyrimeve dhe përdorimi me përgjegjësi i burimeve publike.
“Tani çfarë kërkohet? Thjesht mos të bësh zullume. Kaq është historia, kaq e thjeshtë. Bëj detyrat që ke për të bërë, mbaje pak oreksin. Le të ‘agjërojmë’ pak me paranë publike”, deklaroi Dervishi.













