Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të jetë aktiv në zonën e Peqinit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke rrezikuar banesat.
Flakët kanë përfshirë prej disa orësh zonat e Galushit dhe Gjevurit, ku deri tani raportohet se janë përshkuar rreth 25 hektarë me ullishte, shkurre dhe bimësi. Një banesë është përfshirë gjithashtu nga zjarri.
Situata është vështirësuar gjatë mbrëmjes, pasi flakët janë afruar me një bllok banesash. Ekipet në terren po përpiqen të krijojnë një perimetër mbrojtës për të frenuar avancimin e zjarrit dhe për të mbajtur larg flakët nga shtëpitë e tjera.
Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse, struktura të emergjencave civile, efektivë të Forcave të Armatosura dhe banorë të zonës. Ndërhyrja është kryer edhe nga ajri, por pavarësisht përpjekjeve, vatra vijon të jetë aktive.
Forcat në terren po punojnë për izolimin e zjarrit, ndërsa situata po monitorohet në vijimësi për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve në sipërfaqe të tjera.













