Mjafton të dëgjoni emrin Coca-Cola dhe mendja sjell menjëherë një sërë imazhesh: ngjyrën e kuqe, shishen karakteristike apo një reklamë që keni parë vite më parë. Sipas neuroshkencëtarit A.K. Pradeep, diçka e ngjashme ndodh edhe me njerëzit.
Kur dikush dëgjon emrin e një drejtuesi, sipërmarrësi apo profesionisti që njeh, në mendje aktivizohen lidhje të krijuara nga ato që ka parë, dëgjuar apo lexuar më parë për të.
Pradeep, themelues i kompanisë së neuromarketingut NeuroFocus, e blerë më pas nga Nielsen, dhe aktualisht drejtues i Sensori.ai, i quan këto lidhje “struktura të kujtesës”. Për drejtuesit, kjo do të thotë se çdo postim, intervistë, koment apo dalje publike ndikon në mënyrën se si të tjerët i perceptojnë dhe i kujtojnë.
Kompanitë shpenzojnë shumë para për t’u dhënë markave personalitet dhe karakter njerëzor.
Një drejtues e ka këtë avantazh natyrshëm: ka fytyrë, zë, histori dhe përvojë. Por për ta shndërruar këtë në një markë personale të dallueshme, disa elemente janë veçanërisht të rëndësishme.
Përsëritni temat me të cilat doni të identifikoheni
Të flasësh vazhdimisht për disa tema nuk do të thotë të bëheni të mërzitshëm. Përsëritja ndihmon audiencën të krijojë lidhjen mes emrit tuaj dhe një fushe të caktuar.
Nëse sot komunikoni për teknologjinë, nesër për motivimin dhe më pas për një temë krejt tjetër, identiteti bëhet më i paqartë.
Krijoni diçka që ju dallon
Në një mjedis të mbushur me përmbajtje, mesazhet e përgjithshme harrohen shpejt.
Një këndvështrim i veçantë, një mënyrë karakteristike komunikimi apo një histori personale mund të krijojë një pikë referimi. Qëllimi nuk është të jeni ndryshe me çdo kusht, por të jeni lehtësisht të dallueshëm.
Emocionin në komunikim
Truri nuk i trajton të gjitha informacionet njësoj. Përmbajtja që shkakton kuriozitet, habi, kënaqësi apo një reagim tjetër emocional ka më shumë mundësi të mbahet mend.
Për drejtuesit kjo nuk nënkupton dramatizim, por komunikim më njerëzor, ku faktet lidhen me histori dhe përvoja konkrete.
Mesazh i thjeshtë
Sa më shumë ide përpiqeni të komunikoni njëkohësisht, aq më e vështirë bëhet për audiencën të kuptojë se çfarë përfaqësoni.
Një markë personale e fortë zakonisht lidhet me disa ide të qarta. Nëse njerëzit nuk mund ta përmbledhin lehtësisht atë që përfaqësoni, vështirë se do ta kujtojnë.
Jini të qëndrueshëm
Marka personale nuk krijohet nga një postim që bëhet viral. Ajo ndërtohet me kalimin e kohës.
Temat, toni dhe mënyra e komunikimit duhet të krijojnë një identitet të dallueshëm. Çdo dalje publike shton një element tjetër në atë që Pradeep e quan “strukturë të kujtesës”.
Përdorni avantazhin që kompanitë nuk e kanë
Markat përpiqen vazhdimisht të duken më njerëzore. Drejtuesit dhe sipërmarrësit janë tashmë njerëz, ndaj nuk kanë pse të shpikin një personalitet artificial.
Përvoja profesionale, gabimet, mësimet dhe mënyra personale e të menduarit mund të krijojnë një lidhje që një korporatë e ka shumë më të vështirë ta ndërtojë.
Në një kohë kur platformat dhe algoritmet ndryshojnë vazhdimisht, sfida nuk është vetëm të tërhiqni vëmendjen. Më e rëndësishme është se çfarë u vjen njerëzve në mendje kur dëgjojnë emrin tuaj./ Monitor












