Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë, të nisura fillimisht kundër kushteve të vështira në arsim, janë përshkallëzuar në përleshje dhe akte dhune në disa qytete të vendit. Qeveria franceze ka paralajmëruar për një situatë të “dhunës urbane” dhe ka bërë të ditur se disa shkolla mund të kalojnë në mësim online për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mësuesve.
Kryeministri Sébastien Lecornu thirri mbledhjen e kabinetit dhe u kërkoi ministrave të anulonin udhëtimet e planifikuara për t’u përballur me krizën. Protestat që javën e kaluar nisën në rajonin e Parisit, janë përhapur në disa pjesë të vendit.
Sipas zyrës së kryeministrit, përshkallëzimi i dhunës po e bën gjithnjë e më të vështirë vazhdimin normal të mësimit dhe po rrit rrezikun për stafin dhe nxënësit. Ministri i Arsimit, Édouard Geffray, pritet të takohet me përfaqësues të nxënësve këtë të premte.
Policia raportoi rreth 900 protesta, bllokada dhe incidente pranë shkollave të mesme në të gjithë Francën, ndërsa më shumë se 160 shkolla janë mbyllur.
Bllokime janë raportuar edhe në rreth 30 kampuse universitare, përfshirë në Paris dhe Marsejë. Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 3,000 nxënës të moshës 15 deri në 18 vjeç janë ndaluar që nga fillimi i protestave, prej tyre 1,949 vetëm të enjten. Më shumë se 300 policë, si dhe dhjetëra zjarrfikës, mësues dhe nxënës, janë plagosur.
Nxënësit kanë ngritur një sërë shqetësimesh, nga oraret e ngarkuara dhe klasat e mbipopulluara te mungesa e mësuesve dhe kushtet e papërshtatshme të ndërtesave. Ata kanë kritikuar gjithashtu temperaturat e larta të përjetuara në shkolla gjatë valëve të të nxehtit në fillim të këtij viti.
Ministria e Brendshme ka nisur një hetim të brendshëm pas akuzave për përdorim të tepruar të forcës ndaj tre nxënësve. Në disa qytete, protestat janë shoqëruar me djegie koshash mbeturinash dhe përpjekje për zjarrvënie në godina shkollore.