SHBA-të i bëjnë presion Evropës mbi rezervat e naftës, ndërsa Trump kërcënon me ndalimin e eksportit

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton seriozisht mundësinë e ndalimit të eksporteve të naftës nga SHBA, në një kohë kur tregu global po përballet me mungesa dhe rritje të forta të çmimeve.
Donald Trump ka thënë se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të lirojnë disa nga rezervat e tyre të naftës për të përballuar situatën. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të përshpejtojnë furnizimet dhe të vënë menjëherë në dispozicion sasi shtesë karburanti.
SHBA është një nga furnizuesit kryesorë të naftës në tregun botëror, duke eksportuar rreth 1.2 deri në 1.5 milionë fuçi në ditë. Ekspertët paralajmërojnë se një ndalim i eksporteve amerikane mund të shkaktojë rritje të mëtejshme të çmimeve në Evropë dhe në tregjet e tjera.
Në Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet kanë zhvilluar bisedime me partnerët evropianë për një përgjigje të koordinuar në rast se SHBA vendos të kufizojë eksportet. Qeveria britanike thotë se vendi ka ende rezerva dhe se nuk ka arsye për panik lidhur me furnizimin, megjithëse çmimet pritet të vazhdojnë të rriten.
Situata është përkeqësuar nga ndërprerjet e furnizimeve dhe tensionet në tregun ndërkombëtar të naftës. Mbyllja e ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht transportohet rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë, ka ushtruar presion të madh mbi çmimet. Edhe kufizimet e eksporteve nga Rusia dhe reduktimi i eksporteve kineze kanë shtuar shqetësimet për furnizimin.
Ekonomisti kryesor i Argus Media, David Fyfe, paralajmëron se kufizimi i eksporteve amerikane mund të shkaktojë një rritje të ndjeshme të çmimeve ndërkombëtare të naftës.




