Bota

Putin-Perëndimit: Mund të përdorim të gjitha armët, nëse sulmohet Kaliningradi!

Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se Moska është e gatshme të përdorë të gjitha armët në arsenalin e saj, përfshirë ato bërthamore, në rast të një sulmi ndaj Kaliningradit.

Duke folur në Klubin e Diskutimit Valdai në Moskë, Putin tha se Rusia nuk ka plane të sulmojë vendet evropiane, por paralajmëroi se do t’i përgjigjej çdo agresioni kundër territorit rus.

Në deklaratë, presidenti rus iu referua veçanërisht Kaliningradit, enklavës ruse në Detin Baltik, që kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë, të dyja vende anëtare të NATO-s.

Stërvitjet në Detin Baltik, njëra pas tjetrës… E gjithë kjo është një përshkallëzim, tha Putin, duke iu referuar aktiviteteve ushtarake të NATO-s në rajon.

Ai deklaroi se nëse do të kishte sulm të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë në Kaliningrad apo në territore të tjera ruse, përdorimi i “të gjitha armëve” të vendit do të vihej në diskutim.

Paralajmërimi vjen në një periudhë tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe NATO-s. Aleanca i ka përshkruar stërvitjet e saj pranë Kaliningradit si masa mbrojtëse dhe pjesë të përpjekjeve për të forcuar parandalimin.

Moska tha se do të kundërpërgjigjej në rast të një përpjekjeje për të bllokuar Kaliningradin nga ajri ose deti.

NATO, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende evropiane kanë akuzuar edhe Rusinë për zhvillimin e aktiviteteve hibride kundër tyre, përfshirë sulme kibernetike, sabotime e operacione spiunazhi. Rusia i ka mohuar akuzat për veprime të tilla.