Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, në kuadër edhe të situatës që ndodhi mbrëmjen e djeshme. Përmes një postimi në Facebook, ai ka postuar një video të zjarrit mbrëmjen e djeshme në Piraj, Barbullojë dhe Manati.
Ndreu është shprehur se në mungesë të reshjeve të shiut për më shumë se tre muaj, bimësia e thatë dhe era e fortë favorizojnë përhapjen e flakëve. Gjithashtu ai bën apel qytetarëve që të mos djegin në ferra, ara, mbeturina apo ambiente të hapura, qoftë me dashje apo nga pakujdesia mund të rrezikohen banesa, prona dhe jetë njerëzish.
Postimi i plotë:
Apel urgjent për të gjithë qytetarët e Lezhës dhe zonave përreth!
Të nderuar qytetarë,
Ditët e fundit, dhe veçanërisht gjatë ditës së djeshme, jemi përballur me situata dramatike nga zjarret në Piraj, Barbullojë dhe Manati.
Në kushtet kur prej më shumë se tre muajsh mungojnë reshjet, bimësia është jashtëzakonisht e thatë dhe era favorizon përhapjen e flakëve, mjafton një shkëndijë për të shkaktuar një katastrofë!
Ndezja e zjarrit në ferra, ara, mbeturina apo ambiente të hapura, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, mund të vërë në rrezik banesa, prona dhe mbi të gjitha jetë njerëzish.
Ju bëjmë thirrje: MOS NDIZNI ZJARRE!
Në këto kushte, çdo papërgjegjshmëri mund të ketë pasoja shumë të rënda. Kur flakët përhapen me shpejtësi, ndërhyrja bëhet jashtëzakonisht e vështirë dhe mbrojtja e banesave një sfidë e madhe.
Kërkojmë bashkëpunimin dhe përgjegjshmërinë e çdo banori. Parandalimi është mbrojtja më e mirë!
Një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë një fatkeqësi të madhe.
Të mbrojmë së bashku njerëzit, shtëpitë dhe territorin tonë!
