Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dyshohet se u konsultua me chatbot-in e inteligjencës artificiale Grok, të krijuar nga Elon Musk, për situatën në Venezuelë, rreth një muaj para operacionit amerikan për kapjen e presidentit të atëhershëm venezuelian, Nicolas Maduro.
Sipas një raportimi të revistës “Time”, Trump i drejtoi Grok-ut pyetje lidhur me mënyrën se si do të reagonin qytetarët venezuelianë nëse Shtetet e Bashkuara do të arrestonin presidentin e tyre. Përgjigjja që ai dyshohet se mori ishte se një pjesë e madhe e venezuelianëve do ta festonin largimin e Maduros.
Sipas “Time”, konsultimi me chatbot-in ndodhi gjatë një takimi privat mes Trump dhe Musk në Zyrën Ovale, në dhjetor të vitit 2025. Gjatë takimit, presidenti amerikan thuhet se kaloi orë të tëra duke i bërë Grok-ut pyetje jo vetëm për Venezuelën, por edhe për presidencën e tij dhe trashëgiminë që dëshironte të linte pas.
Raporti i revistës amerikane vjen pas operacionit të 3 janarit, kur ushtria amerikane kapi Nicolas Maduron dhe më pas në Venezuelë pati festime lidhur me largimin e tij. Sipas “Time”, Trump u impresionua nga ajo që e konsideroi si saktësinë e parashikimeve të Grok-ut.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse përgjigjet e chatbot-it ndikuan në vendimmarrjen e Trump për Venezuelën. Raportimi nuk provon se Grok pati ndonjë rol konkret në vendimmarrjen politike apo ushtarake dhe nuk sugjeron se inteligjenca artificiale ishte e përfshirë në planifikimin e operacionit për kapjen e Maduros.
Lini një Përgjigje