Flakët që rrezikuan banesat mbrëmjen e së enjtes në malin e Manatisë në Lezhë, janë ende aktive, por momentalisht, kërcënimi ka kaluar. Ditën e sotme pritet që të ndërhyhet nga ajri për shuarjen e flakëve.
Kryebashkiaku Pjerin Ndreu u ka bërë apel qytetarëve që të mos ndezin zjarre pasi mungesa e reshjeve ka krijuar kushte për favorizimin e tyre. Ndreu thekson se dëmi që mund të vijë nga pakujdesia apo qëllimisht mund të përshkallëzojë në rrezik për banesat dhe jetën e njerëzve.
Edhe vatra e zjarrit në Gramëz të Krujës që zbriti deri në aksin Thumanë-Kashar duke rrezikuar qarkullimin, është shuar.
Mbrëmja e së enjtes rezultoi kritike për fshatin Piraj të Lezhës ku situata u vu nën kontroll pas 5 orëve betejë me flakët.
Nga zjarri u dogjën dy shtëpi të braktisura, një kasolle bagëtish, sipërfaqe të mëdha me pemë, si dhe është dëmtuar linja hekurudhore.
Vatra të tjera pati edhe në Galush e Gjevurë të Peqinit, vend-depozitimin e mbetjeve të bashkive Bulqizë dhe Klos, si dhe në afërsi të kodrave të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në Fier.


