“Fokus Award” çelet në Shkodër

2 Tetor 2026, 16:01Kulturë TEMA
“Fokus Award” çelet në Shkodër

Edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë “Fokus Award” u çel në Shkodër me ekspozitën “No Limits”, e hapur në Galerinë “Oda”. Në të u prezantuan punimet e 10 fotografëve italianë, të cilët sjellin stile, qasje dhe tematika të ndryshme përmes artit fotografik.

“10 fotografët janë fotografë karriere. Secili prej tyre ka sjellë ndjesinë e tij kundrejt temave të pavarura, prandaj është konsideruar edhe “non limit”, sepse vetë fotografia nuk ka limite në ekspozimin e saj. Kështu që, nëse do të flasim në përgjithësi, nuk mund të themi një temë të caktuar, por secili vjen pa kufij, brenda kufijve të tij”, u shpreh Arben Alliaj, Drejtor artistik i festivalit të fotografisë “Fokus Award”.

Kuratorja Maria Lanotte ndali te larmia e punimeve dhe mesazheve që përcjellin fotografët italianë.

“Përmes kësaj ekspozite, ne duam të përcjellim mesazhin e fotografëve italianë, që nuk është vetëm një, pasi trajtohen tematika të larmishme përmes reportazhit, fotografisë kërkimore dhe formave të tjera të shprehjes fotografike”, tha ajo.

Mes autorëve të pranishëm ishte edhe fotografi Giuseppe Cardoni, i cili prezantoi një fotoreportazh kushtuar ritualit të vdekjes në Meksikë, realizuar në bardhë e zi.

“Unë preferoj të fotografoj në bardhë e zi, sepse këto dy ngjyra shprehin më shumë dhe kërkojnë më tepër reflektim, duke përcjellë për rrjedhojë edhe më shumë emocion tek publiku”, theksoi fotografi.

Pas Shkodrës, aktivitetet e “Fokus Award” do të vijojnë edhe në Tiranë dhe Fier. Festivali, i krijuar në vitin 2006, ka mirëpritur ndër vite mbi 6 mijë artistë, ndërsa rreth 2 mijë e 400 autorë kanë qenë pjesë e ekspozitave dhe aktiviteteve të tij. A.K./TemA

Lini një Përgjigje